Nga ideja për kandidat të përbashkët për president dhe lista të përbashkëta si një front i përbashkët europian, LSDM dhe BDI si dy partnerë të koalicionit qeverisës u ndanë në dy fronte europiane. Sipas burimeve të Televizionit 21, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë është tejet e dëshpëruar me sjelljen e BDI-së në muajin e fundit. Burimet thonë se BDI dhe LSDM kanë pasur marrëveshje verbale për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare, si dhe me kandidat konsensual për president, por në fund, integristët e nxorën Bujar Osmanin si kandidat.
Pyetëm në LSDM nëse partneritetit mes tyre dhe BDI-së i ka ardhur fundi dhe nëse do të dalin me lista të përbashkëta, shkurt u përgjigjën se sapo të kenë një vendim final do të njoftojnë publikun.
Nga ana tjetër, në BDI, siç njoftoi para pak ditësh nënkryetari i kësaj partie, Arbër Ademi, nuk është diskutuar për koalicionim eventual që tejkalon kufijtë etnik. Ata më tepër pëlqejnë një koalicionim mes partive politike shqiptare, në këtë rast me Lëvizjen Populli, Partinë Demokratike Europiane dhe me ASH-në e Ziadin Selës.
“Në subjektin tonë politik, në organizatën tonë politike nuk është diskutuar për ndonjë koalicionim të tillë i cili i kalon kufijtë etnik. Është e vërtetë se kryetari ynë z.Ahmeti ka komunikim të vazhdueshëm me të gjitha partitë politike shqiptare. Ftesa është e hapur, ndikimin rus, ndikim kancerogjen, malinj rus, ne mund ta luftojmë vetëm duke i mobilizuar dhe organizuar me një front të përbashkët europian”, tha Arbër Ademi – nënkryetar i BDI-së.
Si reflektim i asaj se ka mospajtime mes LSDM-së dhe BDI-së, mund të përmendet edhe seanca e djeshme qeveritare, ku disa ministra të BDI-së janë larguar nga seanca me qëllim që të mos ketë kuorum për disa pika të rëndësishme për LSDM-në. Gjithashtu, edhe në seancën e djeshme parlamentare, pika për ligjin për lojëra të fatit kaloi në fund të rendit të ditës sepse siç thuhet, tani LSDM e kushtëzon BDI-në për këtë ligj.
Përndryshe vendimi i Bashkimit Demokratik për Integrim, për të dalë me kandidat të tyre për president, erdhi si pasojë e daljes së opozitës shqiptare me kandidat për president, Arben Taravarin. Vet kreu i integristëve Ali Ahmeti, pati thënë se çështja e presidentit është politizuar. BDI kërkon që në të ardhmen presidenti të mund të zgjidhet në Kuvend dhe jo përmes zgjedhjeve.
