Partnerët e pushtetit të pakënaqur/ VMRO-DPMNE “ua vë syrin” partive të vogla

TË FUNDIT

Pas kërcënimeve të disa partive të vogla politike se do të dalin nga koalicioni qeveritar, tani me sa duket VMRO-DPMNE po përpiqen ta fitojnë simpatitë e tyre. Në lidhje me kërkesat për një njësi zgjedhore, nga partia e Mickoskit paraprakisht thoshin se janë për model të shumicës ndërsa nga ana tjetër i bllokojnë ndryshimet duke dorëzuar amendamente, e tani thonë se e përkrahin kërkesën e parive të vogla. Këto ditë iu përgjigjën kërkesës së Stojançe Angellovit i cili po insiston për ligj për mbrojtësit dhe u shprehën se këtë ligj do ta miratojnë kur të vijnë në pushtet.

 

“Edhe pse kaluan 22 vjet nga ndodhitë në 2001, ende kemi 17 familje të mbrojtësve që e humbën jetën, ndërsa familjet e tyre nuk morën dëmshpërblim dhe ka rreth 30 invalidë ushtarakë që nuk kanë marrë dëmshpërblim. Ne propozuam ndryshime të ligjit, por pushteti e refuzoi propozimin tonë dhe nuk deshi të bisedojë mbi këtë problematikë.”- tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

 

 

Po a po e humb Kovaçevski shumicën pas daljes së partive të vogla? Ai paraprakisht u shpreh se shumica qeveritare është e qëndrueshme ndërsa dje tha se në lidhje me kërkesat e partive të vogla, do të ulet përsëri për të biseduar.

 

“Me z. Stojançe Angellov tashmë biseduam. Biseduam edhe me partnerët e koalicionit, do të kemi takim në lidhje me kërkesën që praktikisht e kemi shqyrtuar, megjithatë duke marrë parasysh pamundësinë ligjore që të realizohet, do të ulemi përsëri për të gjetur zgjidhje. Sa u përket propozimeve ligjore për një njësi zgjedhore po ashtu u morëm vesh se debati duhet të udhëhiqet në Kuvend.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

 

 

Përveç partive të vogla, kërkesa ka edhe ASH-ja, partia e cila para pak kohe hyri në pushtet. Prej atje mendojnë se me hapjen e Kushtetutës duhet të ndryshohet edhe definicioni 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë. Kovaçevski tha se prioritet i ndryshimeve kushtetuese janë detyrat e kornizës negociuese, përkatësisht futja e bullgarëve në Kushtetutë.