Partitë për legalizimin e marihuanës! Zaev: Nuk bën të shkohet në burg për gjysmë grami kanabis

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët është e bindur se nuk do ta përkrahë ligjin për legalizimin e marihuanës.

Bujare Abazi nga kjo parti e pyetur për legalizimin e marihuanës, u përgjigj shkurt.

“Jo, ne jemi deklaruar disa herë se nuk e përkrahim një ligj të tillë”, pohoi Bujare Abazi, nga Aleanca për Shqiptarët.

Edhe nga Alternativës para dy dite kanë deklaruar se koalicioni i tyre bashkë me Aleancën për Shqiptarët nuk do të përkrahë një ligj të tillë.

“Koalicioni ASH-AAA nuk mbështet idenë për legalizimin e lëndëve narkotike dhe nuk do të votojmë një ligj të tillë, sepse përveç tjerash dilema jonë është nëse Kryeministri Zaev e ka hallin e ekonomisë familjare apo ekonomisë së shtetit?
A jemi të përgatitur ne si shoqëri dhe si shtet për të kaluar një ligj të tillë, i cili do të legalizojë përdorimin e lëndëve narkotike nga qytetarët?,- thanë nga Alternativa.

Kryetari i Lëvizjes Besa Billal Kasami në Click Plus nuk ishte i prerë se a do ta mbështesë apo këtë ligj.

“Unë nuk flas në emër të shumicës unë flas në emrin tim personal që si Billal Kasami nuk vlerësoj që Maqedonia ka mundësi që të legalizojë kanabisin të ketë përfitime ekonomike dhe mos të ketë dëm social”, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në emisionin Clik Plus tha se në vendin tonë ende nuk janë krijuar kushtet për legalizimin dhe përdorimin individual të marihuanës. 

“Në vend të cigares me pi kanabis, mendoj që nuk janë të krijuara parakushtet perceptuese të qytetarit tonë për këtë çështje dhe nuk janë krijuar parakushtet për legalizim të përgjithshëm të përdorimit individual”, deklaroi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Kryeministri tashmë është i vendosur. Thotë se nuk është në rregull dikush të shkojë në burg për shkak se ka përdorur gjysmë grami kanabis natyral për përdorim personal.

“Në vitin 2021 planifikojmë ta zgjerojmë listën e diagnozave për të cilat është lejuar shërim me kanabis mjekësor, dhe të sigurojmë dekriminalizim dhe depenalizim të kanabisit për sasi të vogla për përdorim personal, sepse është e vërtetë ajo që e flasin aktivistët nga sektori qytetar. Nuk është në rregull dikush të shkojë në burg për shkak se ka përdorur gjysmë grami kanabis natyral për përdorim personal në kohën kur në gjithë vendet e botës ky bar bëhët legal edhe për mjekësi edhe për zhvillim ekonomik”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev mori shembull shtetet si Kandaja, Çekia dhe Holanda të cilat sipas tij përfitojnë nga 55 miljard dollarë nga dinamika e industrisë së kanabisit.