Partitë kapen pas krimit në radhët e njëra-tjetrës! LSDM lansoi platformë, VMRO-DPMNE kërkon reformë

TË FUNDIT

Partitë janë përqendruar në zgjidhjen e krimit në radhët e kundërshtarëve të tyre. LSDM lansoi një platformë të re digjitale, me shkurtesën M.I.C.K.O., përmes së cilës u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë korrupsion.

“Ekipi antikorrupsion i LSDM-së prezanton platformën e re digjitale për luftë kundër korrupsionit dhe krimit – “Makedonski Istrazhuvaçki Centar za Korupcija i Organiziran Kriminal”, ose shkurt M.I.C.K.O. Platforma është e përkushtuar në hulumtimin dhe arkivimin e materialeve dhe raporteve publikisht të qasshme për operacione të dyshuara korruptive në Maqedoni. Ne i mbledhim, i analizojmë dhe i sistemojmë të gjitha informacionet nga burime të ndryshme”, tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, LSDM.

Socialdemokratët informuan se në platformën kundër korrupsionit tashmë janë publikuar “bombat” e deritanishme të ekipit antikorrupsion. Nga VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, pyesin se si mund të reformohet LSDM, kur koka e partisë është e përfshirë në krim? Askush nuk pranon ta ketë Filipçen pjesë të ekipit, sepse së bashku me Zoran Zaevin e mbajnë LSDM-në peng për shkak të bizneseve dhe interesave të tyre kriminale – akuzon VMRO-DPMNE.

“Për shkak të interesave të tyre të biznesit, e shkatërruan partinë, ndërsa kuadrot e ndershme në LSDM nuk mund të vijnë në shprehje. Por në shprehje mund të vijnë njerëz si Aleksandar Trajanovski, njerëz si Oliver Spasovski, Nikolla Spasov, i riu Fërçko dhe Zhernovski. Besnikë ndaj Zaevit dhe Filipçes janë po të njëjtët njerëz që e grabitën dhe e shitën shtetin. Ja në çfarë u katandis LSDM”, theksoi Valentin Manasievski, VMRO-DPMNE.

Nga partia në pushtet me mesazh se reformat në LSDM duhet të vijnë me dorëheqjen e Filipçes, distancimin dhe shkëputjen nga Zaevi dhe futjen e kuadrove të reja në parti.

Ndërkohë, LSDM sot në mbledhjen e Këshillit Qendror do të zgjedhë përbërjen e udhëheqjes së re partiake. Lista me emrat është tashmë e përgatitur dhe sipas paralajmërimeve të Filipçes, përbërja e re do të jetë një kombinim i kuadrove me përvojë dhe anëtarëve më të rinj. Ajo që është konfirmuar zyrtarisht është se Aleksandar Sasha Dimitrijeviq do ta mbajë funksionin e sekretarit të përgjithshëm, ndërsa për nënkryetar është propozuar Aleksandar Trajanovski, ortoped dhe ish-kandidat për kryetar të komunës Aerodrom. Kjo vjen pasi në fillim të dhjetorit, e gjithë udhëheqja e deriatëhershme, përveç Filipçes, me kërkesë të tij, dha dorëheqje.