Partitë e reja Taravari i quan derivat i BDI-së, kundërpërgjigjen Mexhiti, Ibrahimi dhe Demiri

TË FUNDIT

Tre parti të reja politike shqiptare po themelohen në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për Lëvizjen Demokratike të Izet Mexhitit, Partinë Demokratike Evropiane të Arjanit Hoxhës si dhe partia e re që mbrëmë u paralajmërua nga deputeti Skender Rexhepi. Kjo nuk i pëlqen kreut të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. I ftuar në SummerClick, Taravari thotë se janë bërë gaz i botës duke mos e ditur se kush me kë bashkëpunon.

“Unë nuk shoh seriozitet. Jemi bërë 10 parti, jemi bërë gazi i botës. Pikë e pesë jemi bërë duke u ndarë, nuk e dimë se kush me cilin punon. Për momentin unë mund t’iu numëroj dhjetë organizime politike të shqiptarëve në Maqedoni. Unë nuk them se nuk duhet të ketë, 3-4, le të ketë, konkurenca është punë e mirë. Konkurenca sjellë kualitet. Bile aty ku ka përkrahës mundet edhe ndonjë ide të dalë, pse jo”,  pohoi Arben Taravari, kryetar  i ASH-së.

E sa i përket bashkimit të partive opozitare shqiptare Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, Taravari thotë se të gjithë këto janë derivate të BDI-së dhe të tre liderët njëkohë kanë qenë pjesë e asaj partie.

“Këto që janë fronti opozitar tash, të gjitha janë derivat i BDI-së. Janë grupe të pakënaqura që në periudha të ndryshme janë larguar prej BDI-së. Janë ish-funksionarë të BDI-së. Me radhë merni. Me Besa me Alternativa, tash edhe Izet Mexhiti. Të gjithë janë grupe të cilët dikur kanë qenë në BDI. S’kanë qenë të kënaqur dhe kjo është shumë normale. Janë veçuar kanë bërë parti, por mentaliteti është i BDI-së”, u shpreh Arben Taravari, kryetar  i ASH-së.

Për këto akuza se janë derivat i BDI-së, kryetar i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, ASH-në e quajti patericë shpëtuese për BDI-në dhe Grubin.

“Në Qeveri hynë me pretekstin për t’i siguruar numrat për ndryshimet kushtetuese. Shihet se numrat nuk i kanë, d.m.th. në Qeveri hynë si patericë për ta shpëtuar BDI-në dhe Grubin. Këtë duhet ta sqaron para elektoratit të Aleancës, se si Aleanca reagon para BDI-së kur sulmohet vetura e Grubit”, tha Izet Mexhiti – kryetar i LD.

Sekretari gjeneral i Besës, Abdush Demiri, Taravarin e quajti derivat i Menduh Thaçit dhe pinjoll i Ali Ahmetit.

“Është interesant fakti që kohët e fundit si duket Taravari për ditë e më shumë po mbron BDI-në dhe Ali Ahmetin dhe po sulmon opozitën. Kjo nënkupton një gjë se derivati i Menduh Thaçit dëshiron të vazhdoj rrugën e mentorit të tij, të jetë patericë e BDI së, si në kohën kur ishte opozitë ashtu edhe tani. Taravari me veprimet dhe deklaratat e tij është demaskuar totalisht, dhe është shndërruar në pinjoll të Ali Ahmetit”, pohoi Abdush Demiri, sekretar gjeneral i L.Besa.

Nga ana tjetër, sekretari gjeneral i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi thotë se nga ASH mund të del një listë e gjatë të cilët kanë qenë pjesë e BDI-së më parë.

“Sa i takon akuzës se ne kemi qenë në BDI, si duket i ka ngatërruar emrat, sepse po ta marim me numra, mund të dalë një listë më e gjatë pikërisht e njerëzve të ASH-së. Ndonëse është kështu, faji nuk ishte i atyre që dikur kanë qenë me BDI-në, por i atyre që sot janë me BDI-në dhe që do të shkojnë në lista të përbashkëta zgjedhore me Ali Ahmetin”, tha Zeqirija Ibrahimi, sekretar gjeneral i Alternativës.

Megjithatë, në SummerClick Taravari shprehet se me të gjitha subjektet politike apo me ato të cilat janë në formim e sipër, ka raporte korrekte dhe konsideron që nuk duhet të kritikohen dhe shahen mes vete.