Partia Socialiste nisi procedurë për shkarkimin e Ilir Metës

TË FUNDIT

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla tha në një deklaratë për mediat se Kuvendi do të shprehet në ditët në vijim për kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

“Rreth 50 deputetë kanë depozituar kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit për fillimin procedurës për shkarkimin e Metës. Lidhur me vlerësimin e deputeteve kërkues se presidenti i Republikës, përpara dhe gjatë fushatës ka kryer veprimet që bien në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.  Kuvendi i Shqipërisë do të shprehet me vendim në ditët në vijim”, është shprehur Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së nënvizoi se kërkesa e depozituar nga deputetët plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për t’u shqyrtuar nga Kuvendi.

“Siç përcakton rregullorja e Kuvendit, kjo kërkesë do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve që duhet të shprehet. Më pas duhet të ngrihet Komisioni Hetimor parlamentar, i cili të hetojë nëse ekzistojnë dyshimet e hedhura firmëtarë”, tha ai më tej.

Ai sqaroi se në dokumentin e dorëzuar në vend janë të gjitha provat e nevojshme, të cilat sipas tij janë të mjaftueshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të presidentit.

Balla nuk dha detaje në lidhje me shkeljet që sipas socialistëve ka bërë presidenti Meta.

Ndërkaq presidenti Meta, ka reaguar përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku ka bërë thirrje për përqendrim në mbylljen e procesit zgjedhor.

Sipas tij duhet të vazhdojë administrimi i çdo kontestimi dhe ankese deri në rinumërimin e votës së fundit.

“Mos u merrni me “shashka”, por me hetimin e krimeve zgjedhore,” – shkroi Meta./EN