Partia e Vuçiqit fiton në Medvegjë

TË FUNDIT

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, kanë fituar rreth 25 për qind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Medvegjës.

Komisioni i zgjedhjeve ka thënë se shumicën e votave e ka fituar koalicioni i drejtuar nga partia e kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiq. Në votimet që u përmbyllën në orën 20, kanë marrë pjesë rreth 50 për qind e mbi 10 mijë votuesve të regjistruar.

Mbi një mijë shqiptarë nga Medvegja me vendbanim në Kosovë kanë pritur deri në 7 orë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak të pohimeve të policisë serbe se problemet me sistemin kompjuterik po e ngadalësonin procesin e kontrollit të dokumenteve.

Pas orës 16 për shkak të trysnisë politike, autoritetet serbe përshpejtuan procesin e kalimit të kufirit, ndërsa komisioni i zgjedhjeve refuzoi kërkesën e partive shqiptare që të zgjatet koha e votimeve.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në zonë thanë se problemet e shkaktuara në vendkalimin kufitar ishin taktikë për ta zvogëluar numrin e votuesve shqiptarë.

Zgjedhjet e së dielës u mbajtën një ditë pasi që përfaqësuesit shqiptarë të luginës së Preshevës, miratuan të shtunën një deklaratë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi. Udhëheqësit e shqiptarëve, thanë se asociacioni i tyre do të jetë i ngjashëm me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të krijohet në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht në Bruksel në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Zëri i Amerikës. Përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi trajtim të njëjtë për ta sikurse për serbët në Kosovë. Ata thanë se ditëve në vazhdim do të fillojë puna për hartimin e statutit të këtij asociacioni.

Beogradi kundërshton krijimin e këtij asociacioni, ndërsa as Prishtina e as Tirana zyrtare nuk e kanë komentuar vendimin e shqiptarëve në luginë.

Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Ata shume herë kanë shfaqur shpresën që edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të krijojë hapësirë për përmirësim të gjendjes në atë zonë.