Parimi “fituesi me fituesin”/ Kush do të përfaqësojë shqiptarët në qeveri, VLEN apo Fronti Europian?

TË FUNDIT

Të mëdha janë gjasat që pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit, përbërja qeveritare të formohet duke thyer përsëri marrëveshjen e parimit “fituesi me fituesin”. Duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit ku Fronti Europian pati epërsi prej rreth 40 mijë votave kundrejt koalicionit VLEN, mund të ndodhë që Fronti Europian të merr më tepër deputetë por në Qeveri të hyjë koalicioni VLEN. Kjo për arsye se VMRO-DPMNE preferon që VLEN-in ta ketë partner koalicioni.

Naim Bajrami nga Fronti Europian, thotë se në demoraci duhet të respektohet partia ose koalicioni i cili ka fituar legjitimitetin nga vet populli. Paralajmëron se nuk do të ketë qeveri pa deputetët e Frontit Europian.


“Në parim në politikë dhe demokraci nuk mund të anashkalojnë legjitimitetin ata që vet kërkojnë legjitimitet. Ku është ideja e demokracisë konsociale që paraqitet si konsensus në demokraci? Atëherë për çka është ky shtet? I gjithë ky kapital politik, nuk mund të menjanohet nga një forcë politike e cila vet kërkon legjitimitet nga populli. Atëherë pse ne duhet të kërkojmë legjitimitet? Nëse ne kërkojmë legjitimitet atëherë ku mbaron ky legjitimitet? Te Mickoski? Të jeni të sigurtë, asnjë garniturë qeverisëse nuk mund të formohet pa deputetët e Frontit Europian”, tha Naim Bajrami – Fronti Europian.

Por për Izet Mexhitin nga koalicioni VLEN, Fronti Europian më nuk mund të thirret si koncept kombëtar por si koncept qytetar, meqenëse në përbërjen e saj ka edhe parti turke, rome e boshnjake. Opsioni i vetëm si koncept shqiptar, thotë se është vetëm VLEN-i.


“Në këto zgjedhje, përfaqësues i pastër i shqiptarëve është vetëm VLEN-i. Nëse e keni fjalën për Frontin Europian, është koncept qytetar, ku dallimin e votave ndaj nesh e ka bërë me votat e partisë turke, partisë rome, partisë boshnjake, mirëpo e ka humbur të drejtën të thirret se është koncept kombëtar shqiptar. Dhe meqë e kanë humbur këtë të drejtë, nuk kanë të drejtë të thirren në marrëveshjen e majit”, pohoi Izet Mexhiti – VLEN.

Përndryshe marrëveshja për koalicionim mbi parimin “Fituesi me fituesin” u pati nënshkrua në maj të vitit 2007, pasi në vitin 2006, VMRO-DPMNE mori në Qeveri PDSH-në edhe pse BDI-ja kishte fituar zgjedhjet parlamentare. Kjo Qeveri pati mandat vetëm dy vite. Ky parim për herë të parë u shkel në vitin 2016 kur zgjedhjet i fitoi VMRO-DPMNE, por BDI si partner koalicioni e zgjodhi LSDM-në.