Kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmjen e djeshme ka realizuar bisedë telefonike me kreun e VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski dhe së shpejti pritet takim mes tyre, këtë e pohoi sot zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, shkruan TV21. I pyetur për qëndrimet e opozitës në lidhje me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, respektivisht për ndryshimet kushtetuese, Mariçiq tha se ashtu si në të kaluarën, edhe kësaj radhe do të bashkëpunojnë me opozitën.
Në lidhje me: Mariçiq: Bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutë para anëtarësimit të RMV-së në BE
“Siç përmendi kryeministri Kovaçevski, mbrëm ka pasur bisedë telefonike mes tij dhe liderit të opozitës, dhe unë jam i bindur se në periudhën në vazhdim, në javët në vijim do të ketë takim edhe me opozitën. Në fakt qeveria jonë dhe LSDM gjithmonë kanë qenë të hapur për dialog edhe në të kaluarën edhe për ligje me 2/3 e votave edhe për ndryshime kushtetuese, ne jemi përpjekur dhe kemi punuar me opozitën, kështu do të jetë edhe kësaj here”, deklaroi Mariçiq.
