Paralajmërohet krijimi i xhandarmërisë së Kosovës

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla njoftoi se është formuar grupi punues për analizimin dhe propozimin e mënyrës së funksionimit të Xhandarmërisë së Kosovës si agjenci brenda MPB-së, përcjell TV21.

Sipas tij, xhandarmëria synon forcimin e sigurisë shtetërore, me fokus në kufij, luftën kundër terrorizmit, menaxhimin e trazirave dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në Kosovë.

“Xhandarmëria e Republikës së Kosovës po bëhet. Si Ministër i Punëve të Brendshme sot kam nënshkruar themelimin e grupit punues i cili do të bëj analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës, si Agjencion i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Xhandarmëria përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e arkitekturës sonë të sigurisë, me mision të qartë për të garantuar prezencë të fuqishme shtetërore në funksion të ruajtjes së kufinjve, integritetit dhe sovranitetit tonë territorial, mbrojtjen nga terrorizmi, menaxhimin e trazirave me rrezikshmëri të lartë dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Xhandarmëria e Republikës së Kosovës do të forcojë ndjeshëm kapacitetin shtetëror për parandalim, menaxhim dhe neutralizim të kërcënimeve që cënojnë sigurinë e qytetarëve dhe integritetin territorial të vendit tonë”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, xhandarmëria është një forcë sigurie e armatosur që zakonisht vepron brenda shtetit, por ka edhe detyra policore dhe ushtarake, konkretisht është një strukturë “mes policisë dhe ushtrisë” që merret me situata më të rënda sigurie.