Paraburgim për pronaret e shtëpive për të moshuar! U jepnin ushqim të skaduar, ilaçe të gabuara dhe i detyronin të flinin nga dy në një krevat

TË FUNDIT

Mbanin të moshuarit në kushte të mizërie dhe u jepnin ushqim të skaduar. Madje i keqtrajtonin fizikisht dhe psiqikisht, ndonëse ishte streha e tyre e përkujdesit, për të cilët paguanin nga pensionet e tyre apo kursimet e familjes. Kjo situatë çoi në pranga dy pronaret e këtyre objekteve private – N.J. (47) dhe T.I. (58), të dyja nga Shkupi, pas kallëzimit penal të policisë, për shkak të dyshimeve të bazuara se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i vazhdueshëm i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës.”

“Një ditë pas aksionit, shtëpia private për kujdesin social të të moshuarve këtu ne Qendër është mbyllur. Dyshohet se në këto hapësira janë akomoduar 33 persona, ndonëse kapaciteti maksimal për 17 persona. Sipas prokurorisë, këtu janë përdorur maltretime fizike dhe tortura psikike ndaj të moshuarve dhe ata për momentin po hetohen nga prokuroria”, raporton Adi Qaili, gazetar i TV21.

Nga MPB thonë se kanë siguruar prova që personat në fjalë, si pronare të shtëpive të të moshuarve, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtje Sociale, me qëllim të përfitimeve personal, dhe se kanë dëmtuar rëndë të drejtat e banorëve të këtyre shtëpive.

“Gjatë kontrolleve në të dy institucionet – njëra në rrugën ‘Rudo’ në Butel dhe tjetra në rrugën ‘Kozara’ në Qendër të Shkupit – është konstatuar se të dyja të dyshuarat, në cilësinë e personave përgjegjës, kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj banorëve, duke u shkaktuar atyre dhimbje fizike dhe vuajtje shpirtërore, dhe i kanë ekspozuar ndaj trajtimit të ashpër, çnjerëzor dhe poshtërues”, tha Goce Andreev, zëdhënës i MPB-së.

Nga Prokuroria thonë se kanë marrë mostra të ushqimit që dyshohet se ishin të prishura madje as ato nuk ju kanë dhënë në 4 vakte, siç është e paraparë me rregullore. Ata kumtuan se disa banorë ishin mbyllur në dhoma të veçanta, ndërsa të tjerëve u jepej terapi me barna pa përshkrim nga mjeku.

“Në periudhën nga viti 2022 e deri më sot, të dyja institucionet private nuk e kanë ushtruar veprimtarinë sipas të lejeve të lëshuara – kanë strehuar më shumë persona se kapaciteti i lejuar, nuk kanë mbajtur dokumentacion të rregullt për shërbimet sociale, nuk kanë pasur dosje me dokumente profesionale për të gjithë banorët, nuk kanë mbajtur evidenca për mirëmbajtjen e higjienës personale të tyre dhe nuk kanë punësuar numrin e nevojshëm të kuadrit profesional në turne”, deklaruan nga Prokuroria.

Të gjitha parregullsitë janë konstatuar në procesverbalin e kontrollit të jashtëzakonshëm inspektues. Për shërbime që nuk i plotësonin standardet dhe kushtet ligjore, ato u kishin marrë shuma të mëdha parash banorëve dhe familjarëve të tyre, duke përfituar çdo muaj rreth 2.232.000 denarë nga të dy objektet.

“Në lokalitetin e dytë në Butel, akoma ka prezent 21 persona, ndonëse deri më tani ka qenë e mbipopulluar në këtë objekt sipas kallëzimit penal ku thuhet se janë detyruar të moshuarit të flenë në divan apo dy persona në një shtrat të vetëm dhe çfarë është më e keqja aty kanë përzier të dy gjinitë në një dhomë, e cila është e ndaluar me ligj andaj ky është njëri nga objektet e hetimit nga autoritet”, raporton më tej Adi Qaili.

Ministria për Politikë Sociale thonë se kanë hapur procedurë për marrjen e licencave të këtyre dy shtëpive private, duke pohuar se kanë kryer kontrolle të rregullta sipas planit vjetor. Të pyetur nga TV21 se a ka inspektorë që hetohen për mos denoncim të rasteve, më herët se të intervenoj policia, ata thanë:

“Nuk kemi njohuri për ndonjë hetim të hapur ndaj inspektorëve të Sektorit për Mbikëqyrje Inspektuese në fushën e mbrojtjes sociale. Bazuar në inspektimin e jashtëzakonshëm të kryer nga inspektorët e Ministrisë dhe në parregullsitë e konstatuara në punën e shtëpive, u njoftuan të gjitha institucionet përkatëse, gjë që rezultoi me kontrolle të koordinuara gjatë këtyre dy ditëve”, thanë nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.

Nga Ministria thanë se janë në kontakt të vazhdueshëm me familjet dhe kujdestarët e caktuar për marrjen e përkujdesit të të moshuarve. Sipas tyre, një pjesë janë pranuar dhe kujdesen nga familjet, ndërsa për të tjerët janë siguruar vende në shtëpitë shtetërore për të moshuar dhe në Spitalin Klinik të Shkupit, në rastet kur është konstatuar nevoja për trajtim shëndetësor.