Paraburgim për 41-vjeçaren nga Kratova, dyshohet se uzurpoi lokalitetin “Kukulla”

TË FUNDIT

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj një 41-vjeçareje nga Kratova, pas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë. Ajo dyshohet për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës dhe uzurpim të lokalitetit “Kukulla”, përcjell TV21. Sipas Prokurorisë, e dyshuara për një periudhë më të gjatë ka vazhduar të kontrollojë lokacionin dhe t’u kërkojë vizitorëve pagesë për hyrje pa bazë ligjore, ndërsa gjatë një incidenti të fundit dyshohet se ka penguar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

E dyshuara, pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra deri më tani, ka vazhduar ta uzurpojë lokalitetin ‘Kukulla’, duke u kërkuar vizitorëve pagesë për hyrje pa bazë ligjore, duke u përfshirë në konflikte dhe duke u bërë kërcënime. Gjatë incidentit të fundit, ajo ka ndërmarrë veprime që përbëjnë vepër penale – pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, duke sulmuar dhe penguar zyrtarët policorë gjatë përpjekjes së tyre për ta identifikuar dhe arrestuar, njoftoi Prokuroria.

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se ndaj 41-vjeçares më herët ka pasur procedurë për uzurpim të lokalitetit dhe i janë shqiptuar masa kujdesi, përfshirë ndalimin e vizitës së këtij lokacioni, por ajo nuk i ka respektuar ato. Për shkak të rrezikut të përsëritjes së veprave penale, gjykata e ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit.