Kompanitë vendore investojnë në inovacione, makina të reja dhe modernizimin e prodhimit me fonde evropiane. 49 kompani të vogla dhe të mesme dhe sipërmarrës përdorën grante mbi katër milionë euro nga Bashkimi Evropian për prodhimin dhe plasimin e produkteve të tyre, dhe i prezantuan ato në ngjarjen përmbyllëse të projektit “BE për Rritjen Ekonomike”. Gjorgji Filipovski përdori mbështetjen nga Bashkimi Evropian për zhvillimin e një aplikacioni mobil start-up, që u mundëson qytetarëve të krahasojnë çmimet në markete për të kursyer gjatë blerjeve.
“Ne krijuam një algoritëm që mbledh të gjitha produktet nga fletëpalosjet e marketeve me oferta, dhe çdo ditë përdoruesit kanë mijëra produkte në promovim. Nëse blen në ofertë, shpenzon 30% më pak. Marketet janë afër njëra-tjetrës, kështu që njerëzit mund të shohin ku djathi është më i lirë dhe të shkojnë në atë market”, tha Gjorgji Filipovski.
Një nga risitë më të spikatura është makina automatike dhe digjitale për seleksionimin, matjen dhe paketimin e vezëve, një zgjidhje teknologjike që përshpejton procesin dhe rrit efikasitetin.
“Ne kishim një makinë më parë, por ishte teknologji e vjetruar. Kjo është plotësisht digjitale dhe automatike. Rrit kapacitetin e prodhimit dyfish. Ka kërkesë të madhe në rajon, sidomos nga Greqia, e cila importonte shumë vezë nga Polonia. Shqipëria është më e shtrenjtë se ne, Greqia është më e shtrenjtë, Bullgaria është më e shtrenjtë, Serbia për herë të parë është më e shtrenjtë se ne”, deklaroi Abdulzenel Dogani.
Grantet ndihmuan edhe në krijimin e mjeteve digjitale për bujqit. Projektin e përshëndeti edhe ministri i Ekonomisë Durmishi, duke i inkurajuar kompanitë të investojnë në teknologji moderne dhe zgjidhje që sjellin rezultate të qëndrueshme dhe produkte me vlerë të shtuar. Ngjarja përmbyllëse e projektit “BE për Rritjen Ekonomike” u organizua nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) si një lloj panairi me 49 ekspozues, kompani të vogla dhe të mesme.
