Fatbardha Hasani është studente në vitin e tretë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Ka disa muaj që është pjesë e organizatës për të rinj Y-PEER, ku për çdo ditë njoftohet me brengat që kanë të rinjtë. Fatbardha për televizionin tonë rrëfen për problemet, me cilët ballafaqohen të rinjtë e Maqedonisë. Për atë, mungesa e punësimit është shkaku kryesor që shtyn të rinjtë të largohen nga Maqedonia.
“Të rinjtë e Maqedonisë prioritet në jetën e tyre e kanë zgjedhur edukimin dhe punësimin. Edhe unë, si pjesë e këtij komuniteti, ballafaqohem me të njëjtat vështirësi në jetë, sidomos edukimit dhe punësimit. Por, shpresoj se me rregullat e reja, me voluntarizmin tek të rinjtë, do të punohet shumë dhe do të arrihet një finalizim më stabil sa i përket kësaj gjendjeje. Punësimi është problem dhe të rinjtë janë paksa të demotivuar, ngase duan të punojnë atë që kanë studiuar dhe nuk duan të punojnë atë që është e kërkuar në tregun tonë; Dhe, pastaj, dalin jashtë kufijve, duke kërkuar punë të përshtatshme që do të përputhet me profesionin e tyre që e kanë marrë në shkollim”, thotë Fatbardha.
Ndërkaq, Kristijan Millosheviq nga Fakulteti Juridik “Justiniani i Parë” në Shkup thotë se problemi kyç me të cilin ballafaqohen të rinjtë është arsimi. Ai thotë se, që të ketë përmirësim në arsim, duhet të rritet kualiteti i kuadrit të profesorëve.
“Punësimi i të rinjve paraqet një problem të madh. Tregu i punës nuk është i ndarë mirë dhe jo të gjithë kuadrot janë të ndarë në mënyrë të mirë. E gjithë kjo rrjedh nga arsimi dhe duhet të rregullohet, të zgjidhen njerëz që do të janë më kompetentë në tregun e punës. Unë kam dalë nga një shkollë profesionale. Me të vërtetë duhet të ngritët renomeja e shkollës, që kuadrot të cilat dalin nga këto shkolla të mesme profesionale të mund të kyçen menjëherë në tregun e punës. Unë si i ri ballafaqohem me probleme të arsimit, mungojnë programe. Arsyeja se pse largohen të rinjtë nga Maqedonia – varet prej kualitetit të arsimit, mënyrës së jetesës, mënyra se si gjejnë punë, mënyra se si të vijnë deri të suksesi në jetë. Problemi kryesor është se si të ndërtohet një i ri dhe në çfarë mënyrë do ti ndërrojnë qëndrimet”, vlerëson studenti Millosheviq.
Nga organizata rinore “Y-Peer” thonë se largimi i të rinjve nga Maqedonia varet prej arsimit, punësimit dhe kualitetit të jetesës. “Largimi i të rinjve nuk varët vetëm prej arsimit, por varet edhe prej punësimit, kualitetit të jetesës që e kemi, stilit jetësor, që do të thotë se kjo kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për të gjitha këto pyetje. Të rinjtë duhet të përfaqësojnë veten më tepër për këto çështje”, thekson Irena Janevska nga “Y-PEER” – Maqedoni.
Sipas bankës botërore 447 mijë prej qytetarëve janë larguar nga Maqedonia ndërkaq nga organizata arsimore rinore MOF 45% e të rinjve duan të largohen nga vendi.
Arbana Qerimi
