Papa Françesku ia uroi fitoren në zgjedhjet presidentit të sapozgjedhur amerikan, Xho Bajden, i cili kur më 20 janar do ta japë betimin do të bëhet presidenti i dytë katolik i SHBA-së, pas Xhon Kenedit.
“Presidenti i sapozgjedhur, Xho Bajden foli sot në mëngjes në telefon me Papa Françeskun. Ai e falënderoi atë për bekimin dhe urimet”, kumtuan nga ekipi i Bajdenit.
Bajden deklaroi se dëshiron të punojë me Papën “mbi bazën e një besimi të përbashkët në dinjitetin dhe barazinë e njerëzimit, në çështje të tilla si kujdesi për të margjinalizuarit dhe të varfrit, krizën e ndryshimeve klimatike dhe pritjen dhe integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve në komunitetet tona”.
Bajden, i cili është me origjinë irlandeze, u shkollua në një shkollë katolike, jeton hapur në besimin e tij dhe merr pjesë në meshë çdo të diel në një kishë të vogël në qytetin e tij Uillmington, shtetin federal, Delaver.
Fitoren e tij, që mediat e publikuan të shtunën, akoma nuk është pranuar nga Trampi, i cili pretendon se Bajden është zgjedhur duke i vjedhur votat.
I pyetur për Trampin në vitin 2016, papa tha se “personi që dëshiron të ndërtojë mure, jo ura, nuk është me të vërtetë i krishterë”. Tramp e përshkroi vërejtjen si “turp për një udhëheqës fetar i cili vë në dyshim besimin e dikujt”.
