“Rreth 15 mijë persona do të ndjekin nesër liturgjinë e Papa Françeskut në Shkup, e cila planifikohet të mbahet prej orës 10:20 deri në 11, në sheshin Maqedonia. Papa do të lëviz me automjetin e tij e quajtur, papamobil, nga rruga Maqedonia deri në kryeqendër. Kujtojmë se pjesëmarrësit e liturgjisë nuk guxojnë të mbajnë me vete pajisje shpërthyese, as ombrella dhe as flamuj dhe u është e ndaluar të hyjnë me ushqime dhe pije me ambalazhe metalike dhe qelqi. Ndërkaq qytetarët, që nuk kanë bileta, do të kenë mundësi të përshëndesin Papën, nga zona për qëndrim, e cila është e vendosur në tërë sheshin”, Almedina Ismajli, gazetare.
Një ditë na ndajnë nga ardhja e Papës. Autoritetet e vendit thonë se i tërë organizimi është gati. Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk tregojnë numrin e saktë sesa policë janë të angazhuar për sigurinë e Papës, por thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me Vatikanin dhe se siguria do të jetë në nivel të lartë. Nesër do të ketë regjim të veçantë në komunikacion. Disa rrugë në qendër, do të jenë të mbyllura plotësisht. Parkingjet në Komunën Qendër do të jenë pa pagesë tërë ditën. Transporti publik si dhe transporti hekurudhor, nga Shkupi dhe për në Shkup, gjithashtu nesër do të jetë falas. Nga MPB apelojnë që nesër makinat të përdoren vetëm në rast urgjence dhe të gjithë qytetarët të bartin me vete dokumnete për identifikim.
“Do të ketë ndalesa dhe kufizim të komunikacionit, dhe i njëjti do të drejtohet kah rrugët rreth qendrës së Shkupit, që të mundësohen zgjedhije alternative. Me rëndësi është të përmendet që në këtë periudhë kohore, do të formohet ‘Zonë e Kufizuar’ e lëvizjes, ku për makinat do të mbyllen plotësisht rrugët: ‘11 Tetori’ nga kryqëzimi me Blvd. ‘Koço Racin’ deri në udhëkryq me rr. ‘Dimitrie Çupovski’, rr. Dame Gruev, rr. ‘Maqedonia’, rr. ‘Vasil Glavinov’, rr. ‘Filip 2 Makedonski’, rr. ‘Shën Klimenti i Ohrit’ dhe rr.”Ilo Vojvoda”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nesër pacientët do të marrin të gjitha intervenimet e duhura shëndetësore, me një plan special të ministrisë. Nga ky dikaster apelojnë që qytetarët për nevoja shëndetësore, të drejtohen në Spitalin “8 Shtatori” dhe në klinikën “Shën Naumi i Ohrit”. Parkingu i Qendrës klinike, do të jetë i qashsëm vetëm për automjetet e ndihmës së shpejtë. Kurse kontrollet mjekësore “Termini im” do të anulohen, për tu shtyrë për një ditë tjetër.
“Të gjithë ata, sot nëpërmjet sistemit elektronik “Termini im” kanë marrë porosi, ku jaën të dhënë udhëzime për terminet e ardhshme, ku mund t’I bëjnë kontrollet e planifikuara dhe intervenimet kirurgjike, në ditët duke filluar që pasënesër, 8 maj”, deklaroi Vlladimir Milloshev, Sekretar I Ministrisë së Shëndetësisë.
Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shkup, në Parlament u promovua pulla postare “Vizita e Parë e Papës në Republikën e Maqedonisë Veriore”. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se dëshiron që vizita e Papës të sjellë tolerancë dhe mirëqenie mes qytetarëve.
Përgatiti: Almedina Ismajli
