Papa Françesku, në meshën solemne të mbajtur në bazilikën Shën-Pjetër në Romë, përdori termin gjenocid për masakrën e armenëve 100 vjet më parë, duke rritur rrezikun për një prishje të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë.
“Në shekullin e kaluar, familja jonë njerëzore kaloi tre tragjedi masive dhe të pazakonta. E para, që është konsideruar gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të XX, ka goditur popullin tonë armen”, deklaroi Papa duke cituar një dokument të nënshkruar në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II dhe patriarku armen.
“Dy të tjerat janë ato të kryera nga nazizmi dhe nga stalinizmi. Dhe, së fundi shfarosjet e tjera masive, si ato në Kamboxhia, në Ruanda, në Burundi, në Bosnje”, shtoi ai.
Armenët theksojnë se 1,5 milionë prej tyre janë vrarë në vitet 1915 dhe 1917, në vitet e fundit të Perandorisë Osmane. Një numër i madh historianësh dhe më shumë se 20 vende, si Franca, Italia dhe Rusia, e kanë njohur këtë si një gjenocid.
Si reagim ndaj deklaratës së Papës, për gjenocid kundër armenëve, shteti turk ka tërhequr ambasadorin e Vatikanit në Ankara.
Turqia myslimane pranon se shumë të krishterë armenë kanë vdekur në përleshjet me ushtarët osmanë në fillim të vitit 1915, kur Armenia ishte pjesë e perandorisë që sundohej nga Stambolli, por ka mohuar se janë vrarë me qindra mijëra persona dhe se kjo përbën gjenocid.