Pakistani dhe Afganistani ranë dakord të vazhdojnë armëpushimin pas bisedimeve të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari në Stamboll, sipas një kumtese të përbashkët të publikuar mbrëmë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë.
“Të gjitha palët u dakorduan të krijojnë një mekanizëm monitorimi dhe verifikimi që do të sigurojë ruajtjen e paqes dhe do të vendosë ndëshkime ndaj palës që shkel marrëveshjen,” thuhet në kumtesë, duke iu referuar bisedimeve të zhvilluara midis 25 dhe 30 tetorit, raporton media britanike.
Afganistani dhe Pakistani gjithashtu ranë dakord të vazhdojnë bisedimet e paqes më 6 nëntor në Stamboll, duke ruajtur armëpushimin deri atëherë, sipas deklaratës së Ministrisë turke të Jashtme për TRT World.
“Të gjitha palët ranë dakord të vazhdojnë armëpushimin. Modalitetet e zbatimit do të shqyrtohen dhe vendosen në një takim të nivelit të lartë më 6 nëntor 2025 në Stamboll,” njoftoi ministria turke.
Në ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë afgane i tha Al Jazeera se negociatat “u zhvilluan në atmosferë pozitive”.
Përleshjet shpërthyen pas sulmeve ajrore pakistaneze ndaj Kabulit në fillim të këtij muaji, duke bërë që Afganistani të përgjigjej me sulme ndaj pozicioneve ushtarake pakistaneze përgjatë kufirit të gjatë 2.600 kilometra.
Armata pakistaneze publikoi javën e kaluar se pesë ushtarë dhe 25 anëtarë të lëvizjes talebane pakistaneze humbën jetën në përleshjet në zonën kufitare.
