Turizmi dhe numri i turistëve në Shkup nuk është i kënaqshëm. Kështu thotë Snisha Pekevski, nga organizata për zhvillimin e turizmit “Koncept plus”. Sipas tij vendi nuk ka strategji e cila implementohet me qëllim zhvillimin e turizmit.
“Nuk është i kënaqshëm sepse nuk është numri sikurse meriton Shkupi. Kjo ndodh për shkak se nuk kemi ndonjë strategji gjenerale, e cila implementohet me qëllim që të tërheqim numër më të madh të turistëve. Nga ana tjetër edhe punët infrastrukturore, lidhjet që i kemi si destinacione, si shtet, nuk janë të mira”, theksoi Snisha Pekevski nga Organizata për Turizëm “Koncept Plus”.
Fotografi nga Japonia, Matuso për herë të dytë e viziton Shkupin. Ai thotë se “Matka” dhe “Fshati i Maqedonisë” janë vende shumë të bukura. Sipas tij vizitorët e huaj nuk janë të njoftuar me këto vende, ngaqë në internet nuk ka informacione sa duhet.
“Problemi mendoj se është informimi. Nuk ka informata të mjaftueshme në internet, për t’i gjetur gjërat interesante rreth Shkupit, ndërsa ka shumë vende për të parë. “Kanioni i Matkës”, “Fshati i Maqedonisë” dhe plot tjera. Është shumë e vështirë, për të gjetur informacione për këtë vend”, tha Juja Matuso, fotograf nga Japonia.
Sipas kryetarit të lidhjes së gazetarëve dhe fotografëve të turizmit në Turqi, Maqedonia e Veriut vetëm duhet të jetë vetvetja për tu rregulluar turizmi. Sipas tij Maqedonia mund të mësoj nga shtetet tjera me turizëm të theksuar, por nuk duhet të kopjoj.
“Turistët preferojnë të shkojnë në vende unike, në shtete unike, kultura unike, sepse nëse kopjoni ndonjë vend tjetër do të humbni. Ji vetvetja, ji Shkupi, ji Maqedonia, asgjë më shumë”, u shpreh Ekrem Koftogllu, Kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Turizmit Turqi.
Organizata për zhvillimin e turizmit “Koncept plus” organizoi konferencë nën moton “Feel skopje”. Panelistët ishin fotograf dhe gazetar të turizmit nga Zvicrra, Sllovenia, Turqia, Kroacia dhe Japonia. Qëllimi është të promovohet Shkupi në korniza tradicionale si destinacion i dëshirueshëm turistik. Si dhe të diskutohet rreth asaj se si personat e turizmit nga vende tjera e shohin Shkupin. Njëkohësisht të japin rekomandime për përmirësimin e turizmit në kryeqytet dhe të ndërrojnë përvoja.
Përgatiti: Almedina Ismajli
