Ajo që i lidh këta persona është shqetësimi i njëjtë që kanë – mbi 20 vite në dializë.
Bashkë me heronjtë e tyre, mjekët që luftojnë me sëmundjet e veshkave, u mblodhën për të shënuar 20 vjetorin e themelimit të Shoqatës për pacientë me sëmundje të veshkave – Nefron.
Rrëfejnë se jetën nuk e kanë aspak të lehtë, dhe se kanë shumë kufizime, si për shembull nuk mund të konsumojnë shumë lëngje, por tashmë janë mësuar me këtë.
“Unë jam qe 24 vite në dializë, prej para vitit 2000. I falënderohem Zotit që mirë jam. Pata mundësi e vura veshkën para disa viteve, ka mbi 10 vite, mirëpo nuk u përshtat, dhe përsëri mbeta në dializë. Nuk e pranonte trupi. Ne nuk guxojmë të hamë e të pimë sa duhet, s’guxojmë ta teprojmë. Nuk guxojmë të pimë ujë sa duhet. Neve na pihet ujë mirëpo nuk mund të pimë. Sepse ke frikë se nesër duhet të nxjerrësh 4-5 litra”, tha pacienti Fejzulla Demiri.
“Në dializë jam tanimë 21 vite. Jeta si jetë, përditshmëri. Jemi të kufizuar me shumë gjëra. Të themi nuk mund të shkojmë në pushime kudo përpos në Strugë ku kemi qendër për dializë. Përndryshe jeta është e përditshme. Pas dializës do të vish në shtëpi, do të pushosh dhe do të shëtisësh në qytet”, u shpreh pacienti Ilija Partikov.
Kryetari i shoqatës Nefron, Dushko Gjorgiev, thotë se trajtimi me dializë ka përparuar, ndërsa shqetësim mbetet numri i ulët i dhuruesve të veshkave. Për momentin rreth 150 deri 170 persona presin që dikush t’u dhurojë veshkë për transplantim. Bëhet fjalë për donatorë të cilët vendosin për dhurim të veshkave pas vdekjes.
“Transplantimi nga donator i njohur, nga i afërm i familjes, “living donor”, rrjedh normalisht dhe këtu pritja është derisa bëhen të gjitha inspektimet, një deri dy muaj. Mirëpo transplantimi kadaverik edhe pse gjatë Kovidit kishte një ngritje, ende nuk mjafton dhe ende kemi numër të madh të pacientëve të cilët presin organ sepse në farefisin e tyre, në familjen e afërm nuk kanë donatorë. Ata presin nga donatorë të vdekur”, tha kryetari i Shoqatës “Nefron” Dushko Gjorgiev.
Kjo shoqatë numëron diku rreth 1400 deri 1600 pacientë ndërsa bashkë me simpatizuesit dhe donatorët si anëtarë, tejkalon numrin 3000. Numri i pacientëve të cilët kanë kryer transplantim të veshkës është 400 mirëpo shumë prej tyre kanë dështuar dhe i janë kthyer dializës.
