Mandatari Kovaçevski kryeparlamentarit Talat Xhaferi ia dorëzoi propozimin me emrat që duhet të përbëjnë kabinetin e ardhshëm qeveritar së bashku me programin për punë. Kovaçevski paralajmëroi efikasitet në punë, ndërsa si prioritet kryesor përmendi përballjen me krizën energjetike.
“Prioriteti kryesor dhe i parë është përballja me krizën energjetike në vend që është edhe krizë evropiane energjetike dhe e cila ndjehet edhe në RMV. Prioriteti i dytë është mbajtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe kompanive në aspekt të krizës ekonomike që buron nga ajo energjetike, dhe prioriteti i tretë është plotësimi i qëllimeve në lidhje me projektet e mëdha infrastrukturore”, pohoi Dimitar Kovaçevski, mandatar.
Kovaçevski dje pas përfundimit të Kryesisë qendrore dhe ekzekutive të LSDM, i kumtoi emrat e ministrave të rinj, një pjesë e tyre janë emra të rinj, ndërsa një pjesë mbeten në resorët e tyre, ndërsa ka edhe të tillë që kanë bërë rotacion. Bytyqi, Spasovski dhe Boçvarski mbeten në postet e deritanishme. Po pse mandatari ka vendosur që të mbajë një pjesë të ministrave nga përbërja paraprake e qeverisë?
“Në lidhje me disa përzgjedhje të caktuara që mbeten në resorët e njëjtë, kjo është për shkak se në bazë të analizës së bërë shihet rritje e performancës në ministritë me të cilat kanë udhëhequr, shihet se i kanë ngritur standardet dhe kanë realizuar pjesën e investimeve kapitale dhe operative në nivel të lartë në raport me planin që e kanë pasur”, tha Dimitar Kovaçevski, mandatar.
Por kush janë personat e ri në Qeverinë e ardhshme? Befasi ishte profesori i juridikut Nikolla Tupançevski i cili është propozuar të jetë në vend të Bojan Maraçiqit në Ministrinë e Drejtësisë. Tupançevski është kuadër jopartiak i cili vite të gjata ka punuar si profesor dhe ekspert në sferën e të drejtës penale. Befasia e dytë është Sllavica Gërkovska e cila është propozuar për zv.kryeministre për luftë kundër korrupsionit, resor me të cilin deri më tani ka udhëhequr Lupço Nikollovski. Gërkovska ishte deputete e LSDM në vitet 2008-2011. Në vend të Radmilla Shekerinskës në Ministrinë e mbrojtjes është propozuar Sllavjanka Petrovska e cila ishte zv.ministre për punë të brendshme në Qeverinë teknike. Në krye të MPPS do të jetë Jovana Trençevska, drejtorja aktuale e Inspektoratit për punë. Deputetja dhe nënkryetarja e LSDM, Bisera Kostadinova-Stojçevska, e cila e para pat shkuar në Kuvend me skafandër për të votuar kur ishte pozitive me Covid-19, është propozuar që të jetë në krye të Ministrisë së kulturës.
Në përmbajtjen e re të Qeverisë nuk ka ndryshime të mëdha në radhët e BDI. Ata vetëm largohen nga Ministria për shoqëri informative dhe administratë, ndërsa e kanë marrë Ministrinë e Arsimit. Alternativa do të udhëheq me Ministrinë për shoqëri informative dhe administratë si dhe Ministrinë e shëndetësisë, ndërsa gjithashtu do të kenë postin e Zv.kryeministrit për diasporë. Seancën për votimin e Qeverisë së re kryeparlamentari Xhaferi do ta caktoj për më 15 dhe 16 janar, përkatësisht këtë fundjavë. Debati për zgjedhjen e Qeverisë së re do të zgjasë dy ditë, ndërsa votimi duhet të mbahet mesnatën e ditës së dytë.
