Pajisje të reja për laboratorin e sigurisë së ushqimit në Universitetin e Tetovës

TË FUNDIT

Instrumente për detektim automatik të baktereve patogjene në mostra të ushqimit dhe hapësirës, numëruesi i qelizave somatike në mostra të qumështit të papërpunuar, aparat për përcaktimin cilësor dhe sasior të mikotoksinave, janë vetëm një pjesë e pajisjes së re të cilën Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave sot ia dorëzoi Fakultetit të Industrisë Ushqimore dhe Ushqimit pranë Universitetit të Tetovës.

Pajisja për analizën laboratorike të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit është siguruar me mjete të Programit të sivjetmë për zhvillim rural.

Siç tha ministri i Bujqësisë, Arianit Hoxha, me këtë investim përmbushen standardet evropiane në sistemet për kontroll të cilësisë, shëndetit dhe sigurisë së ushqimit.

“Bujqit e Tetovës tashmë nuk do t’i dërgojnë mostrat për testim të cilësisë së ushqimit në Shkup. Së shpejti ato do të bëhen këtu, në laboratorin për siguri të ushqimit në Universitetin e Tetovës. Nga Programi për zhvillim rural, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe Ushqimit fitoi 200.000 euro, me çka u pajis laboratori ekzistues dhe u rritën kapacitetet për kontroll të produkteve ushqimore”, deklaroi Hoxha.