Pahor: Për vendet e Ballkanit Perëndimor është zhgënjyese ajo që ka ndodh me Maqedoninë e Veriut

TË FUNDIT

Presidenti slloven Borut Pahor shprehu zhgënjim në forumin 2BS – To Be Secure në Podgoricë, pasi që politika e zgjerimit aktualisht nuk është lartë në agjendën e Bashkimit Evropian.

Ai deklaroi se ajo që ndodhi me Maqedoninë e Veriut është dekurajuese për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ai vend bëri gjithçka që u kërkua nga ai, ata bënë gjithçka që duhej bërë dhe Bashkimi Evropian u ndal”, tha presidenti slloven, duke theksuar se bëhet fjalë për një gabim të madh, që do të korrigjohet shumë rëndë.

“Detyra ime është të kujtoj kolegët e mi se kjo çështje nuk duhet të injorohet”, tha Pahor.

“Më vjen vërtet keq që Brukseli aktualisht është i ngarkuar me probleme të tjera, duke filluar me krizën shëndetësore, përmes Bregzitit dhe probleme të tjera, kështu që zgjerimi i Unionit ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është prioritet,” tha Pahor në Forumin e 10-të jubilar 2BS.

Pahor tha, siç transmeton portali CdM, se Brukseli do të merrte vendim të mençur nëse menjëherë i avancon negociatat me vendet kandidate në këtë fushë, natyrisht, me kusht që ata “të bëjnë punën e tyre”.

Ai tha se do të ishte mirë që BE-ja të shihte vendet e Ballkanit Perëndimor si një bllok dhe në këtë mënyrë t’i pranojë në Union.