Pahor: Mund të jem ‘ndryshues i lojës’ në dialogun Kosovë – Serbi

TË FUNDIT

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se mund të jetë ‘ndryshues i lojës’ në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në rast se emërohet emisar i posaçëm i Bashkimit Evropian.

Pahor ishte prej kandidatëve të përmendur për zëvendësimin e Miroslav Lajçakut si i dërguar i BE-së për dialogun. Por Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi t’ia zgjasë mandatin Lajçakut deri në janar të vitit 2025.

Vetë Pahor nuk e ka të qartë se çka ndodhi në Bruksel kur u vendos t’i zgjatej mandati Lajçakut, i cili i skadoi në maj.

“Në mars, u ftova në Bruksel nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Mora pak pushim. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. E mora mbështetjen, për të cilën i jam mirënjohës. Por më pas diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk përfundoi në maj, siç u tha fillimisht, por Këshilli i BE-së vendosi në qershor ta zgjasë mandatin e Lajçakut për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, ka thënë ai për “N1”-shin slloven.

Ish-presidenti slloven ka porositur BE-në se është i gatshëm ta marrë rolin e Lajçakut. Për këtë ka përmendur punët e tij për “paqe e pajtim” në Ballkanin Perëndimor.

60-vjeçari ka thënë se do ta respektonte vendimin e BE-së edhe nëse nuk do të jetë i zgjedhuri për dialogun Kosovë – Serbi.