Paga minimale / Qeveria kërkon marrëveshje me partnerët socialë, komuniteti i biznesit kërkon produktivitet

TË FUNDIT

Një pjesë e komunitetit të biznesit thotë se për të pasur pagë minimale dhe mesatare më të lartë, duhet përmirësuar produktiviteti i punëtorëve. Kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Goran Gjorgjievski, mendon se nuk janë të sakta të dhënat nga studimi i Institutit të Vjenës dhe nga Shoqata për hulumtime dhe analiza, ku u vlerësua se punëtori i Maqedonisë ka 53% të produktivitetit të punëtorit evropian, por me një pagë mesatare që është vetëm rreth 30% e asaj evropiane.

“Pra, kjo nuk është relevante. Ka tregues shumë të qartë që përcaktojnë shifra të tjera… Unë flas për atë kufirin, pragun mbi të cilin nuk mund të shkohet. Sepse kompanitë nuk mund të vijnë në situatën të rrezikojnë qëndrueshmërinë e tyre, sigurinë e tyre, praktikisht në një mënyrë. Për këtë arsye ndodh situata që fillojnë të kërkojnë punëtorë nga vendet e largëta lindore. Mendoj se janë rreth 10,000 persona nga këto vende që tashmë punësohen në vendin tonë”, tha Gjorgjievski.

Zëvendësministri i ekonomisë, Marjan Risteski, e përsëriti qëndrimin e Qeverisë se një pagë minimale më e lartë se ajo ligjore, pra 500 euro ose më shumë siç kërkon Lidhja e Sindikatave, do të vendoset vetëm nëse punëdhënësit dhe sindikatat bien dakord në Këshillin Socio-Ekonomik që do të mbahet drejt fundit të këtij viti. Vendimi duhet të bazohet mbi tregues ekonomikë për të mos cenuar stabilitetin ekonomik, pasi sipas Risteskit, ekonomia jonë është e brishtë.

“Po, standardi i jetesës duhet të rritet dhe ne do të bëjmë gjithçka që në të ardhmen, me rritjen e ekonomisë, me rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e përgjithshëm të pamjes ekonomike në Maqedoni, të rriten gradualisht pagat në Maqedoni, duke përfshirë edhe pagën minimale”, deklaroi Risteski.

Aktualisht, paga minimale është 24,379 denarë, dhe është paralajmëruar se nga marsi i ardhshëm do të rregullohet ligjërisht dhe do të rritet për rreth 2,000 denarë. Për të arritur 30,000 denarë, do të duhet një marrëveshje në Këshillin Socio-Ekonomik.