Pacolli flet pas dëshmive në Kongresin Amerikan
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, deklaroi se pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të jetë i mundur me mosndëshkimin e Beogradit.
Duke shkruar për rrëfimet e ish-presidentes Jahjaga, Vasfije Krasniqit dhe Ilit Bytyqit para Kongresit amerikan, Pacolli tha se ne nuk ishim agresorë, por viktima dhe viktimat kanë nevojë për drejtësi.
Ai shprehu mirënjohje për kongresmenin, Eliot Engel për marrjen e kësaj nisme dhe për të gjithë ata që dëshmuan në seancën dëgjimore.
“Në një paraqitje shumë prekshme dhe të fuqishme Vasfije Krasniqi-Godman i tregoj botës për nevojën për drejtësi për më shumë se 20,000 gra dhe vajza që u përdhunuan gjatë luftës së Kosovës. Ilir Bytyqi paraqiti me fuqishem rastin e vrasjes së Vëllezërve Bytyqy dhe si regjimi aktual i Beogradit po mbron ata që janë përfshirë në vrasje”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e tij “Facebook”.
Ai tha se drejtësia e Kosovës dhe ajo ndërkombëtare nuk kanë arritur të adresojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë. “Mosndëshkimi për Beogradin, për ushtarakët dhe politikanët që janë përfshirë drejtpërsëdrejti në kryerjen ose planifikimin e krimeve të luftës kundër shqiptarëvë të Kosovës nuk do të bëjë pajtimin e mundur. Gratë e dhunuara, vëllezërit e vrarë, familjet e masakruara nuk morën drejtësi. Kjo duhet të jetë prioritet për bashkësinë ndërkombëtare që duhet adresuar”, ka shkruar tutje Pacolli.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, theksoi se ngjarje të tilla të fuqishme e bëjnë botën të mos harrojë atë që na ka ndodhur.
Në seancën dëgjimore në Komisioni për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, kanë dëshmuar ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe Ilir Bytyqi, vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqit të vrarë nga forcat serbe pas përfundimit të luftës./21Media
