Pacienti përmes Fejsbukut kërkon ilaçin trikafta! qeveria siguron se medikamenti do të vijë brenda 30 ditëve

TË FUNDIT

“Veproni sikur të isha fëmija juaj”. Kështu shkroi në facebook Igor Pehçevski, pacient me fibrozë cistike, duke e etiketuar kryeministrin, qeverinë dhe presidentin e shtetit.  Ai kërkon nga funksionarët e shtetit që t’ia sigurojnë medikamentin për të cilin ka nevojë, sepse siç ka theksuar nëse nuk e merr ilaçin ka gjasa të kthehet sërish në shtratin e spitalit.

“Nuk do të dëshiroja që askush në këtë mënyrë në rrjetet sociale dhe media të ushtrojë të drejtat e tij për punë dhe ilaç. Më besoni është jashtëzakonisht poshtëruese. Zotërinjë  edhe sa më duhet të pres ilaçin #TRIKAFTA dhe një punë të denjë, jo ndonjë… Apo po prisni që unë të kthehem përsëri në shtratin e spitalit? Veproni sikur të isha fëmija juaj“, tha Igor Pehçevski, pacient me fibrozë cistike.

Nga Qeveria e RMV-së njoftojnë se procedurat administrative që ishin të nevojshme për blerjen e menjëhershme të medikamentit Trikafta kanë përfunduar, dhe së shpejti pritet të dorëzohet ilaçi te pacientët me fibrozë cistike.

“Dorëzimi i medikamentit Trikafta për këta pacientë pritet të kryhet nga furnizuesi, në periudhën më të shpejtë të mundshme, jo më shumë se 30 ditë, sipas procedurave të punës së prodhuesit dhe furnizuesit, të ndërlidhur me specifikat e vetë medikamentit. Për këtë qëllim javën e kaluar nga Fondi i Shëndetësisë janë miratuar mbi 2.2 milionë euro dhe në bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse, në ditët e kaluara kanë përfunduar të gjitha procedurat që mundësojnë blerjen e menjëhershme të pandërprerë të medikamentit Trikafta për pacientët në gjendje kritike që vuajnë nga fibroza cistike”, thonë nga Qeveria e RMV-së.

Ndryshe para një jave 45 vjeçari me fibrozë cistike humbi jetën nga mungesa e ilaçeve. Në vendin tonë rreth 140 persona janë të prekur nga kjo sëmundje.