Fëmijët që nuk janë vaksinuar kundër fruthit me vaksinën MRP, nuk do të mund të regjistrohen dhe as të ndjekin procesin arsimor. Edhe pse arsimi fillor dhe i mesëm është i obligueshëm, nga Ministria e Shëndetësisë njoftojnë se kjo masë është sjellë në pajtueshmëri me ligjin për mbrojtje shëndetësore, dhe me vendimet e Gjykatës kushtetuese, ku thuhet se askush nuk ka drejtë të vë në rrezik shëndetin publik. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe thotë se nuk do të bëhen ndryshime në rregulloren e sistemit arsimor.
“Ka nene të qarta dhe të definuara në mënyrë precize, në ligjin për mbrojtje shëndetësore, në ligjin për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet infektive, në rregulloret për imunizim, se fëmijët duhet të vaksinohen. Po e përsëris asnjë fëmijë nuk do të shkojë në çerdhe dhe në shkollë, i pavaksinuar. Gjithashtu kemi gjetur edhe vendime të Gjykatës kushtetuese, që janë sjellë për shkak të ankesave të mëparshme, të prindërve, në vitin 2014-2015. Vendimet janë të qarta se askush nuk ka të drejtë të rrezikojë shëndetin publik dhe askush nuk ka të drejtë me dëshirën e vetë të vë në rrezik që fëmijët tjerë të jenë të shëndetshëm”, deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkaq në ligjin “Për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet infektive”, në nenin 33 thuhet se vaksinimi është i obligueshëm për të gjithë personat, kundër sëmundjeve të caktuara infektive ku bën pjesë edhe fruthi.
Neni 33
“Vaksinimi është i patjetërsueshëm për të gjithë personat e moshës së caktuar kundër tuberkulozes, difterisë, tetanusit, kollitjes së madhe, paralizës te fëmijët, fruthit, rubeolës, shytës, influencës së hemofilustë tipit B dhe hepatitis virusal B.
Në nenin 64, alineja 2, shkruhet se ndalohet lëvizja e personave që dyshohet ose tek të cilët është konstatuar sëmundje infektive.
Alineja 2 e nenit 64
“Ndalohet lëvizja e personave, për të cilët është konstatuar ose dyshohet se janë të sëmurë nga sëmundje e caktuar ngjitëse”.
Alineja 7 e nenit 64
“Ndalohen tubime të personave nëpër shkolla, kinema, teatro, lokale publike dhe vende publike, derisa zgjat rreziku i epidemisë”.
Në lidhje me këtë masë që është ndërmarrë për parandalim të përhapjes së fruthit, nga Ministria e arsimit thonë se ky është një vendim i detyrueshëm dhe se e respektojnë.
Nga Komisioni për sëmundje infektive, dje u shpall epidemi e fruthit në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të përkeqësimit të gjendjes. Pas kësaj dolën lajme se nëpër qytete të caktuara kanë mungesë të vaksinës MRP. Filipçe thotë se të gjitha shtëpitë e shëndetit janë të furnizuara me vaksina dhe se mungon një lloj tjetër i vaksinës, që nuk ka të bëjë me fruthin. Nga disa shtëpi shëndeti për TV21 thonë se ka mjaftueshëm vaksina, por ende nuk u ka ardhur njoftim zyrtar se është shpallur epidemi e fruthit në tërë territorin. Ato thonë se këtë informacion e kanë mësuar nga lajmet. Ndryshe nga fillimi i epidemisë në dhjetor të vitit 2018 deri tani ka diku 1000 persona të prekur me fruth dhe 3 fëmijë kanë ndërruar jetë. Organizata Botërore e Shëndetësisë kumtoi se numri i të infektuarve nga fruthi në mbarë botën në tre muajt e parë të vitit 2019 është rritur për katër herë krahasuar me periudhën e njëjtë nga viti i kaluar. Në 170 shtete, janë regjistruar 112.163 raste të fruthit.
Përgatiti: Almedina Ismajli
