Kryeministri Hristijan Mickoski tërhoqi deklaratën e dhënë ditëve të fundit lidhur me mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, ku tha se për këtë nuk ekziston pengesë ligjore duke iu referuar Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ai sot, me qëndrim ndryshe, tha se provimi mund të mbahet edhe në gjuhë tjetër, vetëm nëse miratohet një ligj për këtë, sepse ligji aktual nuk e lejon. Menjëherë pas kësaj, kryeministri theksoi se ligji do të dërgohet tek Komisioni i Venecias.
“Pra, ne duhet ta vendosim këtë proces të provimit së pari me ligj. Ligji në gjendjen aktuale nuk lejon këtë lloj të mbajtjes së provimit. Unë jam i gatshëm të bëhet ligj, të dërgohet tek Komisioni i Venecias dhe Komisioni i Venecias të japë mendimin e vet, nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën apo jo. Fakt është se kur u bë Ligji për përdorimin e gjuhëve, Komisioni i Venecias dha mendim negativ për pjesën e drejtësisë”, tha Hristijan Mickoski.
Për këtë çështje, zv/kryeministri i parë Bekim Sali dhe ministri i drejtësisë Igor Fillkov patën një përplasje publike, ku Sali pretendoi se mbajtja e provimit të jurisprudencës ka bazë kushtetuese. Ministri Fillkov ia ktheu se Ligji për provimin e jurisprudencës nuk përmban dispozita për mbajtjen e provimit në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Kryeministri Mickoski nuk mendon se ky komunikim mund të kthehet në konflikt mes partnerëve qeverisës, por pret që të ndalet.
“Jo, nuk mendoj. Mendoj se debati është i mirë, është një debat i shëndetshëm dhe pres që sot ai debat të ndalet. Unë do t’i ftoj nesër njerëzit që këtë çështje e kanë nxjerrë në publik, dua të bisedoj me të gjithë këta me faktet që sapo i shpjegova shkurtimisht, për të arritur te një zgjidhje. Qëllimi i kësaj Qeverie është të zhvillojë Maqedoninë, qytetarët të jetojnë më mirë, të shkojmë përpara dhe një ditë të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Çështje të 30-40 viteve më parë momentalisht nuk na nevojiten. Prandaj them, kjo është politikëbërje”, deklaroi Mickoski.
Studentët shqiptarë shprehën zhgënjim pasi nuk iu lejua që provimin e jurisprudencës ta mbajnë në shqip, pavarësisht kërkesave të tyre. Pasi nga Ministria e Drejtësisë u përgjigjën se nuk mund të lejohet mbajtja e provimit në gjuhën shqipe, nga iniciativa studentore paralajmëruan se është e mundur të mbajnë protesta.
