Që nga fillimi i vitit thonë se nuk kanë marrë paga. Përveç kësaj, thonë se kanë marrë përgjigje negative nga Ministria e Financave për vazhdimin e kontratave të punës. Për këtë arsye, disa punonjës të Klinikës së Fëmijëve ngritën zërin para Ministrisë së Financave, duke kërkuar pagesën e të pagave, vazhdimin e kontratave të punës dhe zgjidhje të përhershme të statusit të tyre. Një nga protestueset tha se kërkesat e tyre për vazhdimin e kontratave ekzistojnë që nga viti 2019, por edhe pas pritjesh të gjata, përgjigjet kanë qenë negative.
“Nëse nuk ka pasur qëllim për vazhdimin e kontratave, atëherë pse përgjigjja është vonuar për pesë muaj? Për çfarë arsye punëtorët janë lënë të vazhdojnë punën deri në fund të muajit maj, ndërkohë që kërkesat kanë qenë në pritje që nga janari? Si është e mundur që mbi 90 për qind e institucioneve shëndetësore kanë marrë përgjigje pozitive , ndërsa për Klinikën e Fëmijëve vazhdimisht janë dhënë përgjigje negative, pa argumente dhe pa sqarime të sakta”, tha Flora Gashi – protestuese.
Pas kësaj konference, një e punësuar në Ministrinë e Financave që u prezantua si shefe e kabinetit të ministres Gordana Dimitrievska-Koçovska i ftoi në takim.
Pas takimit, punonjësit thanë se nga ajo morën premtim që do të angazhohen për të parë nëse situata ka ngecur në Ministrinë e Financave apo diku tjetër dhe se brenda javës do të japin informacion.
“Shpresat tek këta i kemi. Tani se çfarë do të vendosin ata…
-Ju dhanë premtim se do të zgjidhet çështja?
-Po besoj që po… ata vetë kanë qenë tek ne dhe na thanë se e dinë çfarë është Spitali i Fëmijëve, se vetë ishin prindër”, u shpreh Sedat Bushi – protestues.
Punonjësit thanë se përgjegjësi kanë edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por sipas tyre, ministri i Azir Aliu ka pranuar se ka pasur gabime procedurale nga ana e institucionit që drejton, por pavarësisht përmirësimit të tyre, përgjigjja nga Ministria e Financave ka mbetur negative. Po ashtu treguan se bëhet fjalë për rreth 50 të punësuar me status të pazgjidhur dhe 6 muaj pa paga, ndërsa në mesin e tyre ka staf me deri në tetë vite përvojë pune të pandërprerë në Klinikën e Fëmijëve.
