Ousmane Dembele lë pas rivalët, shpallet fitues i “Topit të Artë”

TË FUNDIT

Ousmane Dembele është shpallur fitues i “Topit të Artë” 2025, duke u kurorëzuar si lojtari më i mirë i botës pas një sezoni historik me Paris Saint-Germain. Francezi triumfoi ndaj rivalëve të fuqishëm si Kylian Mbappe, Mohamed Salah dhe Lamine Yamal.

Nën drejtimin e Luis Enrique,francezi ishte protagonisti kryesor në sezonin e artë të PSG-së, duke fituar Ligue 1, Kupën e Francës dhe mbi të gjitha Ligën e Kampionëve.

Me driblimet e tij spektakolare, shpejtësinë shpërthyese dhe golat vendimtarë, ai u shndërrua në armën kryesore të parizienëve.

Statistikat në fushë flasin vetë. Dembele shënoi 37 gola dhe 16 asiste në të gjitha garat, duke e bërë një nga lojtarët më produktivë të Evropës.

Me trofeun e “Topit të Artë” në dorë, Ousmane Dembele hyn në historinë e futbollit si simbol i talentit, këmbënguljes dhe rikthimit madhështor.