Osmani thotë se nuk e ka ditur që “Eurovia” është donatore e BDI-së, pohon se tenderi është zbatuar sipas gjitha procedurave

TË FUNDIT

Ministri për punë të jashtme, Bujar Osmani, pohon se furnizimi publik prej 1.8 milion eurove për adaptimin e sallës Boris Trajkovski, që i është dhënë kompanisë Eurovia është zbatuar sipas gjithë procedurave ligjore, përkatësisht tenderi i është dhënë kompanisë me ofertë më të mirë. Për akuzat se pronari i kompanisë Eurovia ka qenë donatorë i BDI-së, thotë se për këtë gjë për herë të parë ka dëgjuar nga mediat.

“Kur kemi procedurë të hapur në të cilën mund të konkurrojnë cilado kompani dhe kriteri i vetëm është 100% çmimi, ministria i rangon, thjeshtë i shkruan në tabelë cilat janë çmimet e ofruar dhe kompania me çmim më të ulët propozohet te ministri për tu zgjedhur nëse i plotëson kushtet. E di që është e vështirë për tu besuar, por besoni, unë nga mediat e kam kuptuar se kompania është donatorë. Nuk isha i lumtur kur ma sollën raportin për rangim për shkak se nuk i prisja këto reagime”, theksoi Bujar Osmani, ministër për punë të Jashtme.

Nga VMRO-DPMNE edhe sot me akuza për këtë tender duke thënë se kompanitë e afërta me BDI çdo herë kanë trajtim të privilegjuar në treg falë lidhjeve të tyre politike dhe farefisnore.

“Vlera e lidhjeve politiko-korporative në BDI për tenderin që Bujar Osmani si MPJ ia jep SHPKNJP Eurovia, pronar i së cilës është Elmedin Ademi, përndryshe nip i një ish zyrtari të BDI-së, për përshtatjen e qendrës sportive Boris Trajkovski me vlerë prej 1,8 milionë eurove. Përveç faktit se kompania është në pronësi të nipit të një ish-zyrtari të BDI-së, përveç faktit që kjo kompani ka marrë shumë tenderë të tjerë shtetërorë, ndërsa me rëndësi të madhe është edhe fakti që SHPKNJP EUROVIA paraqitet si donator më i madh i BDI-së”, pohoi Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Kompania Eurovia nga Zhelina fitoi tenderin për ripërshtatjen e qendrës sportive “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të samitit ministror të OSBE-së. Eurovia përndryshe është në pronësi të Elmedin Ademit, nipi i ish-ministrit të BDI-së, Abdulaqim Ademi. Elmedin Ademi personalisht dhe bashkë me kompaninë e tij  i dhuruan BDI-së rreth 70 mijë euro.