Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani konsideron se presidenti i shtetit, Hashim Thaçi duhej të jepte dorëheqje nga funksioni para se të nisej në Hagë, ku u mor në pyetje para Prokurorisë speciale për shkak të aktakuzës së ngritur për krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Në intervistën e mbrëmshme për televizionin Klan Kosova, Osmani tha se me atë që u nis drejt Hagës si president, Thaçi e dëmtoi funksionin, por edhe veten si personalitet.
“Si juriste, nisem nga prezumcioni i pafajësisë. Megjithatë, si politikane, konsideroj se ata të cilët thirren në Hagë, duhet menjëherë të japin dorëheqje, Presidenti Thaçi gaboi që u nis në Hagë si president. Me këtë e dëmtoi funksionin dhe veten”, deklaroi Osmani.
Sipas saj, UÇK-ja, njëri nga prijësit dhe themeluesit ishte Thaçi, “nuk mund të lidhet me ndonjë krim të vitit 1999, sepse atëherë ishte e çmilitarizuar”, përderisa Kosova nuk arriti të hapë debat për kryesit e vërtetë të krimeve.
“Nuk mund të flitet fare për krime të luftës, sepse kjo është plotësisht e palogjikshme (…) Për fat të keq nuk arritëm të inicojmë debat të hapur për krimet e shtetit gjenocid serb, ndërkaq ka tendenca që ato krime të relativizohen”, deklaroi Osmani.
Kundër Thaçit, kundër liderit të të PDK-së dhe ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, si dhe kundër disa themeluesve të tjerë dhe prijësve të UÇK-së, para Gjykatës speciale për Kosovë, selia e së cilës është në Hagë, janë ngritur aktakuza për krime ndaj civilëve të nacionaliteteve të ndryshme gjatë dhe mu pas luftës në Kosovë.
Thaçi, i cili javën e kaluar për katër ditë me radhë u mor në pyetje nga Prokuroria speciale në Hagë, paralajmëroi se do të japë dorëheqje nga funksioni president i shtetit nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet./MIA
