Zëvendëskryeministri Bujar Osmani do të ngrejë padi-penale kundër Aleancës për Shqiptarët për shpifje dhe rrënim të integritetit. Ai tha se afati prej 24 orëve për të kërkuar falje ka kaluar. Sipas tij partitë e vogla në mungesë të programit mundohen më shpifje të rrënojnë integritetin e të tjerëve.
“Arrita të pyes për rastin e djeshëm dua fillimisht të them se konteksti në të cilin zhvillohet biseda absolutisht është e interpretuar gabimisht , por edhe emri im fare nuk është i përmendur aty. Bëhet fjalë për një person tjetër. Kjo është e qëllimshme nga partitë e vogla të cilat në mungesë të idesë, në mungesë të projekteve dhe programeve për të na konkurruar, mendojnë se me shpifje mund të rrënojnë kredibilitetin tonë, por ajo çfarë është më e keqe që tentojnë të rrënojnë kredibilitetin e procesit evropian, në një fazë kritike”, tha Bujar Osmani.
Padija e paralajmëruar nga Osmani vjen pasi dje Flakron Bexheti i Aleancës për Shqiptarët apostrofoi emrin e tij në “bombat” e publikuara nga Sheqerim Ahmeti “El Cheka”.
“Nga përgjimet më të reja dëgjohet edhe biseda skandaloze mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, Sadulla Duraku, ku nga Bujar Osmani, tani zëvendës kryeministër për çështje evropiane kërkohet fshehje e veprës penale për vrasje dhe mbrojtje të dorasit të kësaj vepre të rënd”, pohoi Flakron Bexheti.
Përpos bombave të publikuara nga “El Cheka”, ditë më parë në rrjetet sociale është paraqitur edhe një tjetër audio-përgjim i ri në të cilin dëgjohet kryetari i Komunës së Shutkës, Kurto Dudush. Ky i fundit reagoi duke thënë se bëhet fjalë për audio-inçizim të montuar. Ndërsa për përgjimin në fjalë Reagoi edhe VMRO-DPMNE-ja. Ata, kërkojnë që i përkëdheluri i Zavit Kurto Dudush duhet të jep dorëheqje të pa revokueshme, ndërsa organet kompetente menjëherë ta hetojnë rastin.
