Osmani takohet me Escobarin

TË FUNDIT

Kosova është në koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë dhe vendimet që merr reflektojnë frymën kushtetuese, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi takoi të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar ka nisur vizitën e tij në Prishtinë, teksa bashkësia ndërkombëtare po inkurajon Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që nxitën rritjen e tensioneve midis dy shteteve.

Edhe vizita e Escobarit në Kosovë është thënë se është në kuadër të përpjekjeve që të bindin palët që të tejkalojnë tensionet.

“Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, shkroi Osmani në një postim në Facebook, pas takimit me të dërguarin amerikan.