Osmani: Serbia, satelit i Rusisë/ Kovaçevski: Paqja në Kosovë është paqe për gjithë Ballkanin Perëndimor

TË FUNDIT

Si temë diskutimi në këtë samit me gazetarët ishte edhe çështja e konfliktit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani akuzoi homologun e saj serb Aleksandar Vuçiq se po krijon destabilizim në rajon dhe Kosovë. Për këtë ajo tha se do të kërkojë mbështetje nga aleatët evropianë.

Ne si rajon, veçanërisht si Kosovë jemi përballë sfidave të tilla sepse Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë duke tentuar të destabilizon Kosovën por edhe shtetet tjera të rajonit. Kështu që unë këtu sot jam për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë që të luftojmë këto tendenca destabilizuese, që të luftojmë së bashku për sundim të ligjit dhe të parandalojmë ndikimin edhe të propagandës edhe këtyre tendencave. Vuçiqi është i interesuar që përmes bandave të tij kriminale të destabilizojë vendin tonë.

E kryeministri i vendit Dimitar Kovaçevski bëri apel që situata në veri të Kosovës të qetësohet sa më parë sepse sipas tij, paqja në Kosovë do të thotë paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Apelin e tij e përshëndeti edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ti ndjekim deklaratat.

Ne kemi qëndrim shumë të qartë shtetëror që të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen në rrugë diplomatike sepse paqja në Kosovë është paqe për Ballkanin Perëndimor. Mendoj se koha e konflikteve është shumë prapa nesh, kështu që zbatimi i marrëveshjeve tashmë të dakorduara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe aneksi i planit të zbatimit duhet të jetë imperativ për politikanët për të dyja vendet. Ne bëjmë thirrje për uljen e tensionit dhe vazhdimin e komunikimit mes dy vendeve me ndihmën e BE-së dhe SHBA-ve.

Shpresoj se edhe ne do të arrijmë të gjithë së bashku të mos eskalojmë dhe të ruajmë paqen. Dua të përshëndes edhe Maqedoninë e Veriut dhe të them se edhe ata duan paqe, qetësi ashtu siç duam edhe ne. Besoj se do të kemi sukses.

Me qëllim marjen e mbështetjes për siguri dhe stabilitet në rajon, krerët shtetëror realizuan takime bilaterale me përfaqësuesit më të lartë evropianë, përfshirë këtu kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishel, me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, me Olaf Scholz, me Volodimir Zelensky, ndërsa kryeministri Kovaçevski sot ka realizuar takime edhe me homologët e tij të Moldavisë dhe Danimarkës. Nga Kishinau i Moldavisë, Zekirija Haxhiu për Tv21.