Osmani po sheh shans të mirë në qershor, nuk ka pengesa që Qeveria teknike e Bullgarisë të japë dritë jeshile

TË FUNDIT


Edhe pse tha se qershori është shans i mirë që Maqedonia t’i fillojë negociatat me BE-në, megjithatë duke i pasur parasysh paraqitjet paraprake, kësaj here ministri i jashtëm, Bujar Osmani e uli optimizmin dhe tha se nuk është mirë që të shpresojmë shumë. Sipas tij, për zhbllokimin e proceseve eurointegrative nga ana e Bullgarisë, nevojiten hapa të vogla por edhe të mëdha nga të dyja palët. Qeveria teknike e Bullgarisë propozimin portugez e vlerësoi si bazë e mirë për negociata.

“Në mënyrë formalo-juridike nuk ka asnjë pengesë që Republika e Bullgarisë të lejojë të organizohet Konferenca Ndërqeveritare mbi bazë të vendimit tashmë të marrë në mars të vitit të kaluar. Nuk dua t’i rrisë pritshmëritë e qytetarëve, pasi në disa raste ishim dëshmitarë se ky proces u tregua si mjaft kompleks. Megjithatë, ende konsideroj se qershori është dritarja më e mirë e shanseve”, deklaroi Osmani.

Osmani këtë e deklaroi pas debatit në panelin “Rruga drejt Forumit të Prespës” në të cilin mori pjesë edhe Vesella Çerneva nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme në Sofje, e cila tha se retorika nacionaliste nuk është e mirë.

“Fakti që VMRO-ja humbi në Bullgari në zgjedhjet e fundit, platforma e cila ishte nacionaliste ishte tentativë për ta kapitalizuar veton në lidhje me Maqedoninë e Veriut. Ata humbën”, tha Çerneva.

Në forumin foli edhe profesori grek Janis Armakollas i cili tha se Maqedonia ka pritur shumë kohë për t’i startuar negociatat dhe se ka bërë shumë kompromise me fqinjët vetëm për t’i nisur bisedimet.