Osmani për TV21: Nuk ekziston Aneks me 12 pika! “Deklarata e Karakaçanovit, marketing parazgjedhor”

TË FUNDIT

Nuk ekziston asnjë Aneks i Marrëveshjes me 12 pika të cilin e përmend zv/kryeministri bullgar Krasimir Karakapçanov, pohon për TV21 ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani. Ai tha se prej Sofjes zyrtare presin përgjigje për Planin aksionar i cili i është dërguar Bullgarisë që në nëntor vitin e kaluar, por se asnjë tjetër dokument nuk ka. Osmani tha se deklarata e Karakaçanovit është retorikë parazgjedhore.

 “Nuk ekziston asnjë dokument, ka shumë dokumente që janë shkëmbyer brenda këtyre 4 muajve për të cilët e kemi njoftuar opinionin publik ndërsa që kanë të bëjnë me çështjet për të cilat të dy vendet kanë shqetësime dhe që i kemi shkëmbyer me qëllim që të gjejmë zgjidhje. Unë nuk kam për qëllim që t’u përgjigjem të gjitha qëndrimeve të politikanëve bullgarë  që i kanë thënë në atmosferë parazgjedhore dhe nuk duam të jemi pjesë e këtij komunikimi parazgjedhor, por do të komunikojmë në mënyrë zyrtare përmes të dyja ministrave”, tha për TV21, Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Njëkohësisht, përfaqësuesi special Vllado Buçkovski është në vizitë të Bullgarisë me përpjekje të re që çështjet që i konteston Sofja zyrtare,  të bëjnë hap përpara. Tani për tani mbetet e paqartë deri ku është kontesti që e hapi Bullgaria për çështjet e identitetit. Osmani tha se për këtë do të bisedohet në nivel të ministrive, ndërsa Buçkovski këto ditë përmes bisedave do të përpiqet që ta kthejë besimin me avancim të Planit aksionar për realizim të Marrëveshjes me Bullgari.

“Projektet e infrastrukturës duhet të vazhdojnë, bashkëpunimi në sferën e kulturës, arsimit dhe në sektorët e tjerë. Të gjithë ata janë përfshirë me Planin aksionar të cilin z. Buçkovski duhet ta ndjekë në bazë ditore nëse kanë komunikuar ministritë, nëse i kanë shkëmbyer dokumentet, nëse janë realizuar. Këtë do ta bëjë me vizita të shpeshta gjatë periudhës në vijim, ndërsa në lidhje me komunikim për çështjet kryesore, kuptohet se do të jetë mes dy ministrive, mes dy qeverive, për të cilat shpresojmë se do të ketë zgjidhje të shpejtë”, deklaroi për TV21, Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.

Nga opozitarja VMRO-DPMNE akuzuan se Qeveria zhvillon negociata të fshehta me Bullgari. Prej atje pyesin deri kur do të bisedohet në tryeza të fshehta për çështje që kanë të bëjnë me identitetin dhe gjuhën maqedonase.