Osmani në Kopenhagë, Bekteshi në Bruksel

TË FUNDIT


Ministrat Bujar Osmani dhe Kreshnik Bekteshi sot do të realizojnë vizita në shtetet evropiane.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot do të realizojë ditën e dytë të turit evropian, ku është duke lobuar për nisjen e negociatave për integrim në Bashkimin Evropian që në samitin e qershorit.


Do të qëndrojë në Kopenhagë, ku do të takohet me homologun dhe nikoqirin e tij, ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Jepe Kofod. Turneu diplomatik i Osmanit vazhdon me vizitë pune në Stokholm (5 maj), ku do të pranohet nga nikoqiri i tij, ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, An Linde.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi nga sot e deri te enjten do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Bruksel.

Do të realizojë takime pune me nënkryetarin e Komisionit evropian, Vlladis Dombovskis, me komisarin për ekonomi Paolo Xhentiloni, si dhe me Emir Gjikiq, drejtor i Sekretariatit të CEFTA-s dhe me ambasadorët e vendeve anëtare të këtij Asociacioni.

Gjatë vizitës, siç bëjnë të ditur nga Ministria e Ekonomisë, do të diskutohet për reformat në fushën e tregtisë, zgjerimit të Korridoreve të Gjelbra dhe Linjat e gjelbra të vendkalimeve me BE-në, Planin ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor, si dhe për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me CEFTA-n këtë vit.