Pjesëmarrësit në Forumin e Prespës në Ohër kanë bërë thirrje për integrimin sa më parë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si kundërpërgjigje ndaj influencës ruse në rajon. Në debatin e organizuar me temë “Çka pas luftës në Ukrainë”, liderët e vendeve pjesëmarrëse u shprehën pro dhënies së statusit të shtetit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, por edhe Bosnjës, si dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe njohjen e ndërsjellët të Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja e Kosovës, Vjollca Osmani tha se shtetet anëtare të BE-së duhet të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në fjalimin e saj, Osmani ka bërë thirrje edhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, si alternativë e vetme për paqen, stabilitetin dhe luftimin e ndikimetve ruse dhe kineze në rajon.
“Kosova tani prej pesë vitesh po pret liberalizimin e vizave, pas vendimit për BE-së për heqjen e tyre, por kjo akoma nuk ka ndodhur. Andaj i bëjë thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së që ta miratojnë këtë vendim shumë të lehtë, nuk është i vështirë pasi i kemi përmbushur të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsyeje që qytetarët e Kosovës të mbahen në geto”, ka deklaruar Osmani në tribunën me temë: “Çka pas konfliktit në Ukrainë?”.
Osmani ka mbështetur dhënien e statusit të shtetit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë, por se një status të tillë, tha Osmani duhet t’i jepet edhe Bosnjës por edhe Kosovës, e cila planifikon të aplikojë.
“Sa më shumë vakum të lërë BE-ja në Ballkanin Perëndimor, aq më të këqija do të jenë ndikimet ruse dhe kineze në rajon. Çështja është shumë e thjeshtë, nëse dëshironi të luftoni kundër ndikimeve ruse dhe kineze në rajon, njiheni Kosovën, njiheni pavarësinë e Kosovës, lejoni liberalizmin e vizave. Mbështetni statusin e shtetit kandidat të Kosovës dhe Bosnjës. A dëshironi të luftoni me ndikimet ruse? Atëherë mbështetni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani
Duke përsëritur deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentja Osmani tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
“Njohja e ndërsjellët, siç e dimë të gjithë është zgjidhja e vetme e cila do të sjell stabilitet dhe paqe afatgjate në rajon”, ka deklaruar Osmani.
Edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq në fjalimin e tij ka theksuar nevojën e njohjes së ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë. Milanoviq tha se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, por edhe BE-së të vazhdojë me procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor për të stabilizuar këtë pjesë të Evropës për shkak të luftës në Ukrainë.
