Ministri i jashtëm Bujar Osmani, njëherit edhe nënkryetar i BDI-së, në Click Plus tha se partive maqedonase u pengon barazia e shqiptarëve në Maqedoni. Sipas Osmanit, VMRO-DPMNE dhe disa individë nga LSDM të cilët nuk guxojnë ta thonë hapur, konsiderojnë se shqiptarët po ua marrin monopolin. Por sipas Osmanit, në realitet shqiptarët po e thyejnë monopolin ekonomik.
“-U pengon barazia e shqiptarëve…
-O ishallah nuk i hani fjalët…kur flisni kështu për VMRO-në, se zgjedhjet vijnë…
-Unë do të them gjithmonë, bile edhe në LSDM ka të tillë të cilëve u pengon barazia e shqiptarëve por nuk e thonë, sepse është jokorrekte të thonë shqiptarët po na e marrin monopolin, por thonë BDI-ja po bën korrupsion. Jo, jo! Shqiptarët po e thyejnë monopolin ekonomik. Mos tu pengon ajo se shqiptarët nuk do e vazhdojnë të lejojnë që ju të keni monopol ekonomik 100% të kompanive maqedonase, kurse shqiptarët të jenë në margjina. Kur shqiptarët marrin hise në ekonominë e shtetit, ata thonë ja BDI-ja po bën korrupsion”, theksoi Osmani.
Këtyre akuzave iu përgjigj deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski. Sipas tij, VMRO nuk ka asgjë kundër asnjë kombësie, por përkundrazi, qytetarët e këtij vendi nga të gjitha kombësitë, po e braktisin vendin pikërisht për shkak BDI-së.
“Sa i përket tezave të z.Bujar Osmanit, konsideroj se është mirë ta dijë se opinioni është i vetëdijshëm se ai si ministër vepron sipas interesave materiale dhe partiake të BDI-së. Për dallim nga ai, ne konsiderojmë se qytetarët, edhe shqiptarë, edhe maqedonas, turq, serbë dhe romë, në numër të madh e braktisin vendin pikërisht për shkak nivelit të lartë të korrupsionit të lartë. Për këtë ne nuk jemi kundër, cila do kombësi apo drejtim, apo cilitdo politikani. Por konsiderojmë se BDI si parti politike në pjesën më të madhe paraqet burim të korrupsionit të lartë”, pohoi Antonio Milloshoski – VMRO-DPMNE.
Kërkuam qëndrim edhe nga LSDM nëse mund ta konfirmojnë nëse në partinë e tyre ka individë kundër shqiptarëve, por deri në këto momente nuk morëm përgjigje.
