Osmani ndaj Mickoskit: Dyert e Ministrisë janë të hapura për opozitën

TË FUNDIT

Ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, i është përgjigjur kreut të VMRO-DPMNE-së, i cili tha se as Osmani e as Zaev nuk po e informojnë për procesin e bisedimeve për kontestin Maqedoni-Bullgari.

“Që në fillim të mandatit jam shprehur se Ministria e Jashtme është e hapur për partitë opozitare për çfarëdo informacioni që ka të bëjë me punën e Ministrisë”, u përgjigj Osmani me shkrim në pyetjen e TV21.

Po megjithatë nuk morëm përgjigje për nënpyetjen nëse e ka informuar Mickoskin konkretisht për negociatat me Sofjen zyrtare.

Në një kundërpërgjigje ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili në ClickPlus tha se Mickoski duhet të jetë shumë më aktiv për gjetjen e një zgjidhjeje me Bullgarinë, kreu i VMRO-DPMNE-së gjatë protestës së sotme, i tha TV21 se nuk ka se si të kyçet në proces, sepse as Ministri Osmani, e as Kryeministri Zaev nuk e kanë informuar për bisedimet. Opozitarja DPMNE në shenjë proteste për këto, siç i quajnë, negociata të fshehta, sot bllokuan disa udhëkryqe në shumë qytete, përfshirë Shkupin./TV21