Osmani: Më vjen keq për vendimin lidhur me ambasadorin! Gir: Deklaratat e Xhambaskit nuk janë pjesë e vlerave të BE-së

TË FUNDIT

Sërish acarim marrëdhëniesh mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, pasi dje ministri teknik i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikollaj Millkov tërhoqi ambasadorin e tyre në vendin tonë. Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani në seancën e sotme kuvendore për pyetje deputetësh, shprehu keqardhje për hapat e fundit të Sofjes zyrtare, sidomos për tërheqjen e ambasadorit. Osmani thotë se fqinji ynë lindor u është nënshkruar provokimeve.

“Ministria e punëve të jashtme shpreh keqardhje për hapin e këtillë që mendojmë se është i pabazë, pa argumente të vlefshme dhe jo proporcional. Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi kapacitet të fuqishëm demokrat dhe institucional dhe me procedurë të shpejtë dhe efikase e vendosi incidentin e fundit në proceset e gjyqësorit”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

Megjithatë, kundrejt fjalëve qetësuese të Osmanit, ministri i jashtëm teknik i Bullgarisë, Nikollaj Millkov në intervistën e sotme për BNT me një sërë akuzash ndaj autoriteteve të RMV-së. Tha se ambasadori bullgar nuk do të kthehet së shpejti në Shkup dhe se mund të ndërpriten projektet e përbashkëta. Në lidhje me atë nëse mund të ketë veto të re, ai tha se Maqedonia aspak nuk i respekton marrëveshjet me BE. Provokimet e pahijshme të Xhambaskit  tentoi që t’i relativizojë.

“Sa i përket, do të thosha, kundërsulmit ndaj Angell Xhambaskit dhe politikanëve tanë të tjerë, mendoj se kjo tani është pjesë e një narrativi maqedonas që do që t’i nënçmojë së pari, sulmin ndaj bullgarëve, sulmeve sistematike ndaj klubeve bullgare dhe personave bullgare, që përshkallëzohen. Ne dërguam deri te të gjitha vendeve anëtare, memorandum të shkruar për këto çështje dhe me shumë gjasa do të ketë takim me të gjithë deputetët e vendeve anëtare”, pohoi Nikollaj Millkov, MPJ Bullgari.

Kërcënimet që këto ditë vazhdimisht po arrijnë nga Xhambaski, i dënoi euroambasadori Dejvid Gir në brifingun e sotëm me gazetarë.

“Nga deklaratat e fundit të euro-deputetit Xhambaski për pretendime territoriale janë distancuar edhe Parlamenti Europian edhe MPJ bullgare. Pohimet e tilla nuk e përfaqësojnë dhe nuk mund ta përfaqësojnë BE-në. Për vërejtjet e mbrëmshme që presidenti Pendarovski i theksoi në lidhje me deklaratën e Xhambaskit e cila mund të interpretohet si kërcënim, ajo deklaratë nuk e përfaqëson fare qëndrimin e BE-së. Ajo nuk i pasqyron vlerat në bazë të cilave bazohet BE-ja. Është e papranueshme që një person publik të jep vërejtje të tilla për cilindo, e jo më për një shef të shtetit i cili është zgjedhur në mënyrë demokratike në një shtet sovran”, pohoi
Dejvid Gir, euro-ambasador.

Zhvillimi i fundit i ngjarjeve mes Bullgarisë dhe Maqedonisë për kryetarin e VMRO-DPMNE-së është një lloj i luftës së ftoftë.

“Kur njëra palë lëshon pe për gjithçka, gjunjëzohet, përkulet, ndërsa pala tjetër fiton gjithçka, ajo palë, në këtë rast Bullgaria mendon se është e drejtë e saj e natyrshme që të fitojë gjithçka që kërkon. Së pari filloi me tezën se do ta shpallin persona non grata, e më pas u tërhoqën. Çfarë po presin, të vijë 4 shkurti dhe në atë mënyrë të ndodhin incidente?”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Acarimi i raporteve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë vjen si pasoj e rrahjes së sekretarit të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov, ndërsa në të njëjtë kohë edhe u shpeshtuan edhe provokimet e euro-deputetit bullgar Angell Xhambaski.