Osmani me shkumës para dërrasës së zezë! Shpjegoi kornizën negociuese, a mund të ketë bllokadë të re nga Sofja?!

TË FUNDIT

Me shkumës në dorë para dërrasës së zezë, sikur në shkollë, ministri i jashtëm Bujar Osmani e shpjegoi thelbin duke e vizatuar procesin e zhvillimit të Kornizës negociuese. Në fillim shefi i diplomacisë kërkoi që në mënyrë të qartë ta shpjegojë kornizën negociuese në disa hapa dhe t’i demantoj të gjitha spekulimet në lidhje me përmbajtjen e saj. Së pari ai shpjegoi se korniza negociuese përbëhet nga dy pjesë, pjesa e përgjithshme dhe ajo speciale, duke thënë se në pjesën e parë janë përcaktimet për të cilat nuk ka raport me shkrim nga Komisioni dhe nuk paraqet asnjë mundësi për pengesë, me fjalë të tjera nuk do të ketë votim nga vendet anëtare të BE-së. Pohoi se ka mundësi për pengesë nga pala bullgare në pjesën speciale ku janë 35 kapitujt ku gjatë votimit të vendeve, Bullgaria mund të na bllokojë.

“Eventualisht pengesë e re në rrugën mund të ketë vetëm në lidhje me këto përcaktime. Ndërsa këto përcaktimet janë brenda tre udhërrëfyesve që do t’i përgatisim pas skriningut dhe që do t’i miratojë BE-ja. Në një prej tyre, në udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës është plani aksional për bashkësitë etnike. Vetëm kjo çështje nga, nëse mund të themi, nga marrëdhëniet me Bullgarinë është përcaktim për të cilin ka raport me shkrim dhe që do të votohet, andaj mund të jetë pengesë hipotetike”, tha ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.

Ajo që është e rëndësishme është se në asnjë prej përcaktimeve të pjesës speciale nuk ka asnjë lidhshmëri me Marrëveshjen me Bullgarinë, ato janë në pjesën e përgjithshme dhe nuk mund të jenë pengesë, tha Osmani.

“Në asnjë prej këtyre udhërrëfyesve, përcaktimeve nuk ka çështje të marrëveshjes me Bullgarinë, komisionit historik, shqyrtimeve të nenit 12. Ato janë në pjesën e përgjithshme, që do të thotë edhe marrëveshjet edhe marrëveshja me Bullgarinë dh shqyrtimet e nenit 12 të së njëjtës marrëveshjeje. Ato janë në pjesën e përgjithshme për të cilën nuk ka raport me shkrim dhe nuk votohet, andaj nuk mund të jenë pengesë në rrugën e shtetit drejt BE-së”, shtoi Osmani.

Nga VMRO-DPMNE thonë se Bullgaria vazhdon me sjelljen mohuese ndaj vendit tonë që duan ta imponojnë si kusht për rrugën tonë integruese. Prej atje thonë se ndryshimet kushtetuese nuk janë kushti i vetëm dhe se Bullgaria do të vazhdojë me bllokadat dhe kushtëzimet në rrugën tonë drejt BE-së.

“Ndryshimet kushtetuese për të cilat insiston qeveria e Kovaçevskit nuk janë kushti i vetëm dhe i fundit, do të pasojnë edhe shumë të tjera, ndërsa rruga eurointegruese që e proklamon Kovaçevski është rrugë pa dalje. Mesazhet e reja nga Sofja janë konfirmim se pse nuk duhet ndodhur ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar pa garanci serioze institucionale të institucioneve europiane për perspektivën dhe rrugën aderuese të Maqedonisë dhe gjuhën shumëshekullore maqedonase, historinë dhe identitetin”, theksuan nga VMRO-DPMNE.

Komisioni europian e publikoi draft raportin nga skriningu për klasterin e parë që ka të bëjë me vlerat themelore. Vlerësimi i përgjithshëm është se vendi pjesërisht është i gatshëm për anëtarësim në BE sa i përket legjislacionit dhe zbatimit të tij në praktikë sipas standardeve të BE-së.