Takimi i paparalajmëruar i Osmanit me kolegen e tij bullgare, Ekaterina Zaharieva që ndodhi para 3 ditëve në Sofje është shfrytëzuar vetëm për biseda rreth harmonizimit të Planit aksionarë, pohon shefi i diplomacisë së Maqedonisë. Pasi që të përfundojë harmonizimi mund të mbahet seanca ndërqeveritare.
“Për mbajtjen e seancës ndërqeveritare të Komisionit që e udhëheqin dy ministra nevojitet raport vjetor i Komisionit për çështje historike dhe Plan aksionarë. Mendoj se në pjesën e Planit aksionarë pothuajse jemi gati, është vazhduar harmonizimi i çështjes së afateve. Mbetet çështja nëse Komisioni për çështje historike do të mund të japë raport vjetor për punën e tyre pa prejudikim të suksesit të punës së komisionit”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Ministrja Zaharieva menjëherë pas mbajtjes së takimit me Osmanin konfirmoi se kanë biseduar për Planin aksionarë por e shfrytëzoi rastin për të dërguar vërejtje jo vetëm për punën e Komisionit por edhe për politikanët e RMV.
“Jo vetëm që nuk ka progres por ka edhe devijim, me të vërtetë është ashtu, sipas atyre 5 personaliteteve për të cilat jemi dakorduar. Nuk e di çfarë pasqyre keni për BE, por ajo nuk funksionon si Jugosllavia, ajo punon sipas një parimi tjetër. Mendonit se ndoshta do t’i bëjë presion Bullgarisë dhe shumë herë ju kam thënë se kjo nuk do të ndodh”, potencoi Ekaterina Zaharieva – Ministre e Punëve të Jashtme e Bullgarisë.
Osmani u përmbajt nga komentimi i akuzave për devijimet nga negociatat në Komisionin për çështjet historike. Vetëm tha që gjithmonë nuk mund të pritet progres në këto takime. Osmani theksoi se tani komunikimi midis të dy palëve duhet t’i kthehet parimeve të Marrëveshjes.
“Jo në çdo takim të komisioneve mund të pritet rezultat spektakular. Andaj është intenca që këto takime të jenë më të shpeshta, që nëse s’ka në njërin takim, të ketë në tjetrin. Ka pasur progres të pjesërishëm dje në miratimin e Procesverbalit, është biseduar hapur, në mënyrë konstruktive por nuk është arritur harmonizim i caktuar për çështjet, për rekomandimet në pjesën e teksteve shkollore”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Pas bisedave dyditore, anëtarët e Komisionit të përzier për çështje historike nuk kanë arritur progres në lidhje me diskutimin për librat e historisë, ndërsa nuk është arritur as pajtueshmëri në lidhje me çështjen për mesjetën. Përndryshe edhe pse ka qenë në rend të ditës, Komisioni nuk e ka hapur çështjen e Goce Dellçevit.
