Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe për viktimat e Masakrës së Reçakut, dhe me këtë rast e ka falënderuar sërish ish-shefin e Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, që i dha jehonë asaj që kishte ngjarë në vitin 1999.
“Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin Walker që u bë zëri i të gjitha viktimave në një kohë ku ne fatkeqësisht nuk kishim zë”, ka thënë Osmani.
Osmani i shprehu mirënjohje të thellë Walkerit edhe për punën e tij pas luftës në Kosovë ku ka insistuar për të vërtetën që ngjau në këtë fshat të Shtimes, pavarësisht mohimeve të Serbisë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë që kërkimi për drejtësi për Masakrën e Reçakut është detyrë e shenjtë që kapërcen etnitë dhe përkatësitë politike.
Ajo në ceremoninë përkujtimore për viktimat e kësaj masakre deklaroi që vetëm drejtësia i jep kuptim paqes teksa ritheksoi këtë detyrim e kërkesë të shqiptarëve të Kosovës.
“Sot kemi nevojë që ta themi vazhdimisht e kudo se në këtë fshat të vogël me histori të madhe u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur, ndaj thirrja për drejtësi për ta është në funksion të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të viktimave dhe të familjeve të tyre. Kërkimi i drejtësisë nuk është thjesht një kërkesë, është një detyrë e shenjtë që kapërcen kufijtë, kapërcen etnitë, dhe përkatësisë politike”, ka thënë Osmani.
