Presidentja Vjosa Osmani i ka reaguar zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili tha sot se rihapja e urës së Ibrit është një çështje dialogu dhe se çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog
Osmani ka thënë se çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë sepse do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë së vendit.
Osmani ka thënë se dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë.”, ka shkruar Osmani.
Stano tha sot se rihapja e urës së Ibrit është çështje dialogu.
“Përsëris, unë mund të kujtoj vetëm se rihapja e urës është një çështje dialogu dhe çdo vendim për hapjen e saj duhet të merret në dialog”, deklaroi sot Stano.
Për hapjen e Urës së Ibrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javë më parë tha se ajo s’është kundër askujt, por për të gjithë qytetarët. Madje ai për këtë kishte pasur edhe një takim me vendet e QUINT-it, me të cilët kishte biseduar për këtë çështje.
“Është marrëveshje e para shumë vjeteve në Bruksel, nga dekada e kaluar. Ne e dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe liria e lëvizjes. Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt, por është për qytetarët. I ndihmon njerëzit në të dy anët gjithashtu edhe tregtinë, ekonominë, bashkëpunimin. Janë edhe tri ura tjetra, e të ngelet vetëm kjo mbyllur për vetura s’më duket në rregull. Edhe kjo urë do duhej të jetë e hapur, madje para shumë viteve në njërën prej marrëveshjeve të Brukselit, hapja e plotë e urës është quajtur simbol i normalizimit, pra është përdorur nga vetë Bashkimi Evropian, në vitet 2014-2017. Kundër askujt, por për të gjithë”, kishte deklaruar Kurti.
