Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në prezantimin e projektit Mkartela ka folur për kontestin mes Shkupit dhe Sofjes.
Ka deklaruar, se kushtet për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian janë përmbushur, ndërkaq ajo çfarë mbetet, është e shteteve anëtare të BE-së. Ka njoftuar, se në dy javët e ardhshme do të realizohen kontaktet diplomatike dhe politike, kjo për të adresuar çështjet penguese.
“Mbetem në qëndrimin se do të jetë qershori, pavarësisht se nuk dua të ngrit pritshmëritë e qytetarëve. Ai është proces kompleks që nuk varet tashmë prej nesh. E jona është përmbushja e kritereve, dhe kriteret janë përmbushur. Dukshëm që procesi varet nga shumë dinamika në vendet anëtare. Por, qasja mentale e jona, qasja jonë e punës, është të punojmë për qershorin sikur të jetë mundësia e vetme për gjetjen e zgjidhjes edhe pse personalisht e ndjej, se në dy vitet e ardhshme ndoshta qershori është mundësia më e mirë. Kështu që, këto dy javë do të kemi kontakte në nivel politik, në nivel diplomatik që të përpiqemi t’i adresojmë çështjet të cilat janë paraqitur si pengesë gjatë kësaj periudhe”, tha Osmani, transmeton TV21.
