Osmani: Do të bëj çmos për të evituar zgjedhjet

TË FUNDIT

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka pasur unanimitet te partitë politike për çështjen e mandatarin, e as gatishmëri për atë të Buxhetit 2026. 

Ajo ka thënë se disa prej liderëve partiakë shprehën se nuk mund ta krijonin shumicën, e disa që dëshirojnë kohë për të parë mundësinë e propozimit të një mandatari të ri. 

Ajo ka përsëritur se detyrë e ka “të bëjë çmos për të evituar zgjedhjet”.

“Duhet të ezaurohen të gjitha mundësitë për parandalimin e zgjedhjeve”.

“Nuk kishte unanimitet të plotë rreth asaj që a mund të ketë mandatar tjetër apo jo. Kërkova një rrugë me dakordim të partive për procedim të buxhetit dhe Planit të Rritjes. Nuk kishte gatishmëri nga një numër i madh për procedim të buxhetit, por unë propozova që të shikojmë mundësi të tjera kushtetuese që është zgjatja buxhetore që së paku deri më 31 mars 2026 qytetarët të mos përballem me situatë ku nuk kanë paga dhe mirëqenie. Kjo çështje nga disa u shqyrtua, do të jem në kontakt me partitë nëse ekziston një mundësi e tillë”, ka thënë ajo. 

Osmani ka kërkuar reflektim nga liderët e partive politike në rast se nuk ka mandatar të dytë. 

“Kryetari i LVV ka kërkuar që të më takoj edhe një herë para se të skadojë afati 10 ditor dhe pas konsultimeve brenda partisë do vijë me propozim apo jo, por ne e kemi detyrim kushtetues t’i respektojmë afatet. Bashkë me kohën kemi humbur edhe shumë mundësi për vendin tonë”. 

Osmani ka shtuar se në takim është përmendur edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, e potencialisht shkuarjes në zgjedhje edhe një herë. 

“Kjo çështje është ngritur nga disa prej pjesëmarrësve për të paralajmëruar një situatë që mund të përballemi si vend. Ta zëmë ka zgjedhje në dhjetor, pastaj merr disa muaj kohë deri t’i kemi institucionet, dhe pastaj sapo ta kemi një qeveri, menjëherë në mungesë kuorumi prej 2/3 menjëherë vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit. Një situatë e tillë u përmend, për të paralajmëruar se mund të kemi dy palë zgjedhje në 3-4 muajt në vijim që është situatë e rëndë jo vetëm për KQZ, por edhe si situatë ku qytetarët për periudhë të gjatë të  mos i kenë institucionet”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ka thënë se pati vullnet të partive që zgjedhja e presidentit të mundësohet të jetë direkt nga populli.  

“U diskutua edhe mundësia që të kemi zgjedhjen e presidentit nga populli. Nuk ka asnjë kuptim funksional që për shkak të dështimi të zgjedhjes së presidentes të shkohet në zgjedhje për parlament e qeveri. Pashë një vullnet të madh që të shkohet me zgjedhje të drejtpërdrejt nga popullit”. 

Osmani thotë se sipas aktgjykimeve të Kushtetueses, Kurti s’mund të mandatohet dy herë

Presidentja Osmani ka thënë se bazuar në aktgjykimet e  mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, presidentja duhet të caktojë mandatar tjetër për herën e dytë. Në këtë rast, siç ka thënë ajo, Albin Kurtin nuk do të mund ta mandantonte edhe një herë për kryeministër. 

“Me vet faktin që përmendet mandatar tjetër, interpretimi ynë është që kërkon mandatar tjetër. A më duket mua e logjikshme dhe e drejtë. Aspak. Mirëpo a është ky realiteti. Po. Dhe ne duhet ta respektojmë këtë realitet”, ka thënë ajo.