Osmani dhe Kurti për dënimin ndaj Mlladiqin: Vërtetim për gjenocidin e regjimit serb

TË FUNDIT

Aktvendimi i Gjykatës ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi për burgim të përjetshëm për prijësin e forcave serbe në luftën në Bosnjë e Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i akuzuar për gjenocid dhe krime ndaj myslimanëve të atjeshëm, u përshëndet nga shumë përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës, mes të cilëve edhe nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani dhe nga kryeministri Albin Kurti.

Krerët kosovarë në reagimet e tyre vlerësuan se aktvendimi për Mlladiqin paraqet “vërtetim të politikës gjenocidale” të regjimit të atëhershëm serb, kryesuar nga krxetari i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij.

Osmani e vlerësoi aktvendimi e Tribunalit të Hagës si “një nga rastet e rralla në të cilat drejtësia është përmbushur” de porositi se “rajonit i paraprin rrugë akoma shumë e gjatë për të ardhur deri te drejtësia për të mbijetuarit dhe familjet e të zhdukurve” në luftëra.

Presidentja e Kosovës përmes profilit të saj në Tuiter porositi se tashmë nuk ka dyshim se qëllimi i regjimit të atëhershëm serb ka qenë gjenocidi.

“Pas këtij vendimi, njerëzit dhe familjet që përjetuan vuajtje të mëdha të shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit, do të ndjejnë se janë një hap më afër drejtësisë. Tashmë nuk ka dyshim se qëllimi i Millosheviqit, Mlladiqit dhe pjesëve të tjera të atij regjimi ishte gjenocidi. Ky gjykim do të hyjë në histori si një rast i rrallë vënies së drejtësisë, por rajoni ka një rrugë të gjatë për të siguruar që të mbijetuarit e tjerë dhe familjet e të zhdukurve gjithashtu të marrin drejtësi”, shkroi Osmani, duke e përfunduar porosinë me fjalët e presidentit amerikan Xho Bajden, se “drejtësia dhe pajtimi janë themelet e paqes dhe stabilitetit”.

Kurti gjithashtu përmes faqes së tij në Tuiter vlerësoi se aktvendimi për Mlladiqin, të cilin e quajti “kasapi i Bosnjë e Hercegovinës”, paraqet përkujtim se mohimit serb të krimeve nga e kaluara në Bosnjë dhe Kosovë duhet t’i vijë fundi.

Kryeministri i Kosovës tha se Serbia e fshihte (Mlladiqin) dhe e portretizonte si hero.

“Krimineli famëkeq i luftës, Ratko Mlladiq, i njohur si “kasapi i Bosnjës dhe Hercegovinës’, u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid. Serbia e fshehu dhe e portretizoi atë si një hero. Por ky vendim është një kujtesë se mohimi i krimeve të së kaluarës në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë nga Serbia duhet të marrë fund”, ka shkruar Kurti.

Gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95. Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë./MIA